Muhamet Hamiti: Kompromisi si kompromis dhe kompromisi si komprometim

02.07.2018 17:48:28

Profesori i Universitetit të Prishtinës, dhe ish-bashkëpunëtori i ngusht i presidentit Rugova, Muhamet Hamiti e ka inkuadruar veten në debatin për çështjen e kompromisit në negociatat me Serbinë.

Z. Hamiti, këtë inkuadrim e ka bërë në kontekst të 28 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe ka shprehur drojën se kompromisi i kërkuar në Bruksel e komprometon idenë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Pasi shpreh bindjen se pavarësia e Kosovës me garanca për pakicat është zgjidhje kompromisi, z. Hamiti konstaton se zbutja e mëtejme e pavarësisë së Kosovës, rrezikon substancën e Kosovës së pavarur dhe paqen e stabilitetin në Evropën juglindore.
Ky është postimi i plotë i z. Hamiti në facebook:
Kompromisi e komprometimi
Në 28 -vjetorin e Deklaratës Kushtetuese që bëri Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990, droja është e madhe që kompromisi i synuar si rezultat final i dialogut politik e diplomatik Kosovë-Serbi në Bruksel, mbas kompromiseve të dhimbshme që ka bërë Kosova në procesin e Ahtisarit/Vjenës para pavarësisë së shpallur më 2008, e komprometon vetë idenë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pavarësia e vendit, me garanca të fuqishme kushtetuese për serbët dhe pakicat e tjera kombëtare, ka qenë dhe mbetet zgjidhja e kompromisit. Çfarëdo tëhollimi (zbutje) i mëtejmë i kësaj pavarësie dhe i sovranitetit të vendit në emër të kompromisit të ri e rrezikon substancën e Kosovës së pavarur, vetë funksionalitetin e shtetit të ri, me rëndësi jetike për popullin shqiptar dhe për paqen e stabilitetin në Evropën Juglindore.
(Shënim: në anglisht fjala ‘compromise’, si emër e si folje, në përdorime të ndryshme, ka kuptime të ‘kompromisit’ dhe të ‘komprometimit’.)