Muharremaj: Përpjekjet që të kthehen serbët në Mushtisht janë të parakohshme

22.09.2016 14:54:28

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj ka reaguar lidhur me takimin ndërministror për kthimin e serbëve në Mushtisht.

Ai ka thënë se përpjekja me i kthy serbët në Mushtisht është e  parakohshme.

“Pajtimi nuk bëhet me masa administrative, po me krijimin e klimës se mirëbesimit. Sot ka ndodhur në takim ndërministror për kthimin e serbëve me përfaqësues edhe nga Komuna e Suharekës. Në një situatë kur përndiqen dhe largohen shqiptarët nga shtëpitë e tyre në veri të Kosovës, kur shqiptarët kanë plagë ende të freskëta, duke përfshirë edhe qytetarët e Mushtishtit, kur mijëra shqiptarë rezultojnë të zhdukur dhe kur Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosove e në Mushtisht, nismat për pajtim e kthimit, mund të prodhojnë kundër efekt. Prandaj kjo çështje duhet trajtuar me kujdes dhe jo me nguti”, tha Muharremaj.

Ai tha se secili gëzon të drejtën e kthimit në pronën e tij, por rrethanat e tanishme për ata që kanë humbur më të dashurit, janë ende kujtime të freskëta.