Muhaxheri pas vizitës së Grenell në LDK: Vet prania amerikane tregon diçka

23.01.2020 13:40:27

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri është i vetmi nga të dyja taboret që ka folur për Media pas takimit të Grenell në LDK dhe VV.

Muhaxheri ka komentuar praninë amerikane në Prishtinë duke thënë se një veprim i tillë është domethënës edhe për ndërtimin e qeverisë.

“Pavarësisht asaj që u tha, vet prania amerikane në Prishtinë, prezenca e lartë tregon, mendoj unë, se mesazhi është i qartë. Zgjedhje nuk duhet të ketë dhe të gjendet zgjidhje. Pra në orët në vazhdim të shohim a do të ketë lëvizje”, tha Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, reflektimi i takon Kurtit meqë tani është mandatar. Ai ka konfirmuar se as sot nuk ka pasur zhvillime sa i përket takimeve apo kontakteve Mustafa-Kurti.

“Ne mbetemi në qëndrimin tonë. Nuk ka lëvizje dhe reflektimi i përket tani Kurtit, ai është mandatr dhe ashtu duhet të sillet. Oferta jonë mbetet dhe është shumë korrekte. Unë nuk kam dhënë ultimatume e as nuk po jap, porse deri të dielën e kemi caktuar në mënyrë që nëse nuk ka marrëveshje me ne, atëherë të ketë kohë për negociata të tjera. Mos t’i humbë koha Kurti”, shtoi Muhaxheri për RADIO 1.