Muller nuk më pelqen të luaj pas Lewandowskit

12.01.2017 18:03:19

Ylli i Bayernit, Thomas Muller, kaloi një fazë të parë të vështirë në Bundesligë. Në një intervistë për revistën “Sport Bild”, kampioni i botës komentoi situatën e tij aktuale.

Ai tregoi se, gjatë vitit 2017 do të bëjë çmos që të rikthehet në formë dhe se në cilin pozicion ndihet më mirë në fushë. Sulmuesi zbulon edhe emocionet sesi është ndier i ulur në stol, në ndeshjen e fundit të Bundesligës për vitin 2016, atë ndaj Leipzigut, që deri atë ndeshje renditej në vend të dytë vetëm falë golavarazhit më të keq se kampionët e Gjermanisë.

Keqardhje për Leipzigun

“Ndeshja e fundit kundër Leipzigut për mua personalisht nuk shkoi në mënyrën më të mirë, sepse unë nuk luajta. Në atë ndeshje pati më shumë hapësira sesa në ndeshjet e mëparshme. Ishte një ndeshje që do të më kishte dhënë kënaqësi po të kisha qenë në fushë. Natyrisht që nuk qëndrova i ulur në stol me një buzëqeshje”, tha Muller, por optimist se në fazën e dytë gjërat do të ndryshojnë dhe duke treguar se ai është një lojtar skuadre:

“Vijnë situata në të cilat lojtarët do të qëndrojnë jashtë në ndeshje të mëdha dhe të rëndësishme. Por ne duhet t’i marrim ato si një skuadër. Shpirti i skuadrës është kryesori, duhet t’i lëmë mënjanë egot personale. Kjo vlen për mua, ashtu si për gjithë të tjerët”.

Roli i preferuar

Shanset e Mullerit për një vend titullari gjatë këtij viti janë përmirësuar ditët e fundit. Nga njëra anë, për shkak të fazës së fortë përgatitore që ai ka bërë në Doha. Nga ana tjetër, dëmtimi i Thiago Alcantarës, i cili në javët e ardhshme do të qëndrojë pushim. Spanjolli luajti në pjesën më të madhe të gjysmës së parë të sezonit në rolin pas sulmuesit kryesor. Këtë rol mund ta marrë Myleri, pavarësisht se kohët e fundit ka pasur diskutime se ai nuk përshtatet në sistemin që përdor Carlo Ancelotti.

Legjenda e Bayernit, Lothar Mathaus, e ngriti këtë dyshim në një koment të tij për “Bild”-in një javë më parë. Por çfarë mendon vetë Mulleri? “Kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në fakt, në këtë sistem unë kisha gjithnjë pozicionin pas sulmuesit kryesor. Kjo nuk më ka pëlqyer. Nuk më pëlqen gjithashtu kur më caktohet të luaj si sulmues, sepse nuk e konsideroj veten të tillë. Unë lëviz me kënaqësi mbrapa linjave në pikën ku ndahet sulmi dhe mesfusha kundërshtare, atje ku i dhemb më shumë rivalit”.

Në mënyrë që t’i bezdisë kundërshtarët më rregullisht gjatë këtij viti dhe të përmirësojë shifrat e tij, 27-vjeçari është ndalur të analizojë atë që nuk ka shkuar në paraqitjet e tij gjatë fazës së parë për të nxjerrë natyrisht mësime: “I kam bërë pyetje vetes, për shembull: ‘Ku mund të investoj më shumë në stërvitje’ dhe do përpiqem të stërvitem më intensivisht”.