Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese bllokon edhe KQZ-në

09.08.2018 12:10:32

Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka bërë që të bllokohet për muaj të tërë emërimi i anëtarëve të KQZ-së.

Presidenti ka kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me përfaqësimin e partive në KQZ, por pa kuorum kjo gjykatë nuk mund të nxjerr vendim.

Brenda javës pritet dekretimi i gjyqtarëve të rinj, veprim ky që i hapë rrugë edhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e më shumë se pesë muaj është jashtë funksionit.

Përveç kryetares Valdete Daka, ky institucion nuk e ka asnjë anëtar tjetër, e rrjedhimisht shumë punë të këtij institucioni kanë mbetur të pakryera.

Daka tha për Radio Kosovën, se KQZ-ja pa anëtarët tjerë është jashtë funksionit.

“KQZ-ja nuk është duke funksionuar. Për vetë faktin që nuk ka anëtarë të tjerë përveç meje, për momentin KQZ-ja nuk po funksionon”, tha Daka për Radio Kosovën.

“Presidenti Hashim Thaçi do duhej qysh moti t’i emëronte anëtarët e rinj të KQZ-së, por më 7 qershor ai i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretim sa i përket çështjes së përfaqësimit të subjekteve politike në KQZ. Por, Kushtetuesja nuk ka kuorum, pasi aktualisht janë vetëm 4 gjyqtarë, ndërsa për kuorum, kërkohet të jenë të paktën 7 gjyqtarë”, tha ajo.

Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula tha për Radio Kosovën se kurdo që do të ketë kuorum, do të merret edhe vendimi për KQZ-në.

Radio Kosova ka pritur disa ditë përgjigje nga Zyra e Presidentit lidhur me çështjen e KQZ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa vetë presidenti Thaçi në një konferencë për media, ka bërë të ditur se dekretimi i gjyqtarëve të Kushtetueses do të bëhet së shpejti.

“Zyrtarizimi i tyre do të ndodhë gjatë kësaj jave. Jemi në fazën finale të procedurave të nevojshme”, ka thënë Thaçi.

Derisa Kushtetuesja të nxjerr një vendim, shumë punë të KQZ-së mbesin të pakryera, sikur që janë rreth 20 kërkesa për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendeve të ndryshme komunale.

Këto punë sipas kryetares së KQZ-së, kanë mbetur pezull.

“Janë zëvendësimet dhe çështjet tjera administrative. Se zgjedhje tash nuk ka, por janë vetëm çështjet administrative që kanë mbetur pezull”, tha Daka.

Zvarritja e emërimit të anëtarëve të KQZ-së ka ardhur pas paqartësisë që ka krijuar kërkesa e grupeve parlamentare të formuara pas konstituimit të Kuvendit, që të kenë hise në KQZ. Prandaj, edhe presidenti është detyruar të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese sa i përket asaj se a kanë të drejtë të kenë anëtarë në KQZ edhe partitë që kanë bërë grup parlamentar pas konstituimit të Kuvendit, apo kjo e drejtë iu takon vetëm partive apo koalicioneve që kanë kaluar pragun që të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.