Mungesa e publikimit të dhënave, sfidë për analizimin e punës së institucioneve

12.07.2020 12:36:19

Qasja e të dhënave të hapura si për gazetarët dhe institutet kërkimore konsiderohet si jetike për trajtimin e temave dhe analizave.

Kështu thonë hulumtues dhe gazetarë, të cilët sipas tyre do ta rriste llogaridhënien gjatë raportimit.

Drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Jeton Mehmeti për Telegrafin tha se qasja në të dhëna të hapura është esenciale për analizimin e politikave të caktuara.

“Për punën e një instituti kërkimor qasje në të dhëna është esenciale për të analizuar një politikë të caktuar. Ndonëse ligji e garanton një të drejtë të tillë, ende ka vështirësi në mbledhjen e të dhënave që në radhë të parë do duhej të ishin publikuar vet nga institucionet publike. Sidomos kur është fjala për të dhënat që kanë të bëjnë me shpenzimet e buxhetit të shtetit, ka raste kur institucionet publike ose vonojnë përgjigjen ose nuk përgjigjen fare”, tha Mehmeti.

Ai shton se ka hezitime nga institucionet publike që t’i ofrojnë këto të dhëna.

“Gjatë punës tonë kemi pasur raste kur ndonjë zyrtar i lartë publik ka zgjedhur një mënyrë të veçantë mes refuzimit dhe lejimit, duke na ftuar vetëm të shohim të dhënat (sikurse marrëveshje e kontrata për projekte publike) por duke mos lejuar të kemi qasje në ato të dhëna, edhe pse ligji na garanton një gjë të tillë. Ngjashëm disa institucione publike hezitojnë të ofrojnë fare të dhënat rreth shpenzimeve buxhetore të zyrtarëve publik, sidomos në shpenzimet për dreka zyrtare, karburante dhe telefon”, shton ai.

Mehmeti tregon se, publikimi i dokumenteve ndikon në përfshirjen e palëve, sikurse organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe institucioneve tjera, në monitorimin dhe analizimin e tyre.

“Institucionet publike jo vetëm se do duhej të ofronin qasje në të dhëna publike konform ligjit, por do duhej të ishin edhe më të hapura duke publikuar vet sa më shumë të dhëna në kohë reale dhe në format të lexueshëm. Kjo vlen edhe për komunat. Transparenca buxhetore e komunave e rrit llogaridhënien rreth shpenzimit të parasë publike. Publikimi i dokumenteve të rëndësishme buxhetore në formate që lejojnë përdorim të lehtë të të dhënave ndikon në përfshirjen e palëve, sikurse organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe institucioneve tjera, në monitorimin dhe analizimin e dokumenteve buxhetore”, tregon Mehmeti.

Ai kërkon nga institucionet që të janë më të hapura karshi qytetarëve.

“Në një hulumtim tonin del se në vitin 2018, komunat kanë publikuar një numër më të madh të dokumenteve buxhetore dhe kanë organizuar më shumë dëgjime buxhetore sesa në dy vitet paraprake, mirëpo jo të gjitha komunat i kanë publikuar dokumentet bazike që burojnë nga legjislacioni lidhur me transparencën në komuna. Disa komuna ende hezitojnë të publikojnë të dhëna në formatin ‘excel’ nga frika se dikush mund t’i ndryshojë dhe keqpërdor ato të dhëna. Një praktikë e tillë duhet të ndryshojë, duke bërë që institucionet publike të jenë më të hapura karshi qytetarëve”, sugjeron Mehmeti.

Për sa i përket punës së gazetarëve që publikimi i të dhënave në format të hapur, ata thonë se kjo do t’ua lehtësonte punën në trajtimin dhe analizimin e temave të caktuara, në interes të informimit të drejtë.

Gazetarja e ekonomisë në Epoka e Re, Albulena Mavraj thotë se një format i tillë do të ishte mjaft produktive

“Një format i tillë, do të ma lehtësonte punën, duke filluar në aspektin kohor, pasi sikur të jenë të dhënat e hapura, ku unë s’kam nevojë të pres përgjigje nga zyrat për informim, e që ndonjëherë edhe dinë të vonohen. Pastaj, kjo do të ishte produktive edhe në aspektin analitik. Më një fjalë do të kontribuonte në artikujt e mi, e që më pas do të kishte dhe analiza më të thella apo detajuara”, tha Mavraj.

Kujtojmë se Kosova Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Në kudër të fushëveprimit, Ligji zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Pra, ky Ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e institucioneve të cilat i zbatojnë ato.