Murray e Nishikori “ok” në ATP Finals

15.11.2016 16:27:20

Nuk zhgënjen numri 1 i Botës. Andy Murray e nisi në mënyrën më të mirë aventurën e tij në grupin A, të Atp World Tour Finals, turneut të përvitshëm që zhvillohet mes 8-të tenistëve më të mirë të Botës. Për të ruajtur kreun në klasifikimin e përgjithshëm deri në fund të këtij viti tenisti skocez e ka të qartë se duhet të thyejë hegjemoninë e Djokovic i cili ka fituar 4 edicionet e fundit të Atp World Tour Finals. Shumë e thjeshtë sfida ndaj Cilic për Murray-in që humbi në total vetëm 5 game ndaj shtatlartit kroat. Tenisti britanik në O2 të Arena të Londrës i mbështetur fuqishëm edhe nga publiku vendas imponoi ritmin e tij ndaj Cilic që në fillim. Edhe pse humbi në një rast turin e shërbimit, Murray fitoi 2 game me break duke bërë të tijin setin e parë me shifrat 6-3. Në setin e 2-të numri 1 i Botës ishte akoma edhe më perfekt në lojën e tij.

Cilic në fakt shquhet për shërbimin e fortë por Murray e theu dy herë në servis kroatin duke fituar 6-2 setin e dytë dhe gjithë ndeshjen 2-0 në dicka më tepër se 1 orë e gjysmë lojë. Surprizën në ditën e dytë të Atp World Tour Finals e dhuroi japonezi Kei Nishikori i cili mundi me një lehtësi të jashtëzakonshme Stanislas Wawrinkan. Vetëm 1 orë e 9 minuta rezistoi zvicerani përballë tenistit nipon. Wawrinka humbi setin e parë 6-2 dhe të dytin me shifrat 6-3 duke e nisur në mënyrën më të keqe turneun e 8-të më të mirëve të Botës.