Murtezaj komenton kërkesën e Ambasadës turke: Këtu bëhet si thonë ligjet e Kosovës

26.07.2016 15:54:39

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, tha se në Kosovë veprohet mbi bazën e ligjeve të vendit.

Deklarata e Murtezajt pasoi kërkesën zyrtare të ambasadës së Turqisë në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ndëshkuar me burg një gazetar nga Kosova, Berat Buzhala, për shkak të komenteve të tij thumbuese të bëra në rrjetin social Facebook.

“Në Kosovë bëhet si thonë ligjet e Kosovës, që janë demokratike”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëvendësministri i jashtëm, Murtezaj, duke theksuar se “MPJ është dera e komunikimit me jashtë.”

Agjencia e lajmeve Reuters tha të martën se e ka parë kërkesën e Ambasadës turke dërguar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, krahas edhe komenteve të Buzhalës në “Facebook”.

Buzhala, sipas këtij artikulli të Reuters, më 15 korrik, derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi, ka ironizuar duke thënë se “iu bëj ftesë qytetarëve të Republikës së Kosovës që janë me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.

Ambasada turke e ka kërkuar ndëshkimin e gazetarit kosovar, që është edhe udhëheqës i një prej mediumeve të Kosovës, përmes një ligji të ri që ndëshkon qytetarët e Kosovës që marrin pjesë në konflikte të huaja.

“Në kërkesën e ambasadës gjithashtu thuhet se ligji në fjalë thotë që komentet nga njerëz siç janë Buzhala ‘duhet të ndëshkohen me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, shkruan Reuters.

Gazetari nga Kosova ka thënë se ai nuk është informuar për kërkesën, porse kjo sipas tij e dëshmon “arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla si Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit ekonomik, ta nënshtrojë edhe politikisht”.

“Turqia është përkrahëse e madhe e Kosovës…kompanitë e saj udhëheqin aeroportin e vetëm, distributorin elektrik, ndërsa po ndërtojnë edhe dy autostrada që kanë vlerë 2 miliardë dollarë”, shkruan Reuters.

Ndërkohë, ndaj kërkesës së ambasadës turke për ndëshkim të gazetarit Buzhala, ka reagur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e cilësuar si skandaloze kërkesën dhe njëkohësisht ka kërkuar largimin nga Kosova të ambasadores Kivilicim Kilic.

“Konsiderojmë se kjo kërkesë është shkelje e rëndë e Ambasadës së Turqisë”, thuhet në reagimin e AGK-së, që ka kërkuar nga Ambasada Turke të kërkoj falje për, siç e ka cilësuar, “veprim skandaloz”.