Mustafa: Ata që e penguan liberalizimin e vizave duhet ta ç’pengojnë!

18.09.2017 22:41:44

Në një postim në facebook, z. Mustafa i është rikthyer çështjes së liberalizimit të vizave, përkatësisht demarkacionit me Malin e Zi.

Pasi përmend katër dokumentet mbi demarkacionin: Marrëveshjen, Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të emëruar nga presidentja Jahjaga, konfirmimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Raportin e Komisionit për Matjen e Territorit, z.Mustafa fton që të miratohen këto dhe të hapet rrugë për liberalizimin e vizave.

Ky është postimi i z. Mustafa:

1. E kanë Marrëveshjen e dy komisioneve shtetërore, të Kosovës dhe të Malit të Zi;

2. E kanë Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të emëruar nga Presidentja Jahjaga

3. E kanë konfirmimin e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se me marrëveshjen e 25 Gushtit 2015 nuk humb territor as Kosova dhe as Mali i Zi, dhe se SHBA e përkrahë këtë marrëveshje;

4. E kanë Raportin e Komisionit Profesional për Matjen e Territorit të Kosovës, në krye me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili Raport konfirmon se me këtë demarkacion Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror territor.

I kanë edhe kauzat politike, me të cilat kanë bërë fushatë të dhunshme. Dhe le të zgjedhin. Ose le të aprovojnë dhe amnistojnë kauzat e tyre të rrejshme politike, ose le të aprovojnë këto katër argument të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, le të hapin rrugën për liberalizim të vizave.