Mustafa: Avokati Kelmendi ishte veprimtar i lirisë

25.03.2017 10:59:13

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kujtuar vrasjen e avokatit Bajram Kelmendi, dhe dy djemëve të tij, nga policia serbe 18 vjet më parë.

Mustafa me anë të një postimi në facebook ka thënë se Kelmendi ishte veprimtarë i lirisë, duke bërë denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, dhe për këtë ishte  një ndër caqet e para të regjimit kriminal serb.

“Tetëmbëdhjetë vjet më parë, regjimi kriminal i Serbisë, në shenjë hakmarrjeje për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kidnapoi dhe më pas i ekzekutoi barbarisht Avokatin më të njohur kosovar të kohës, Bajram Kelmendin dhe dy bijtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin”.

“Bajrami ishte veprimtar i lirisë, duke bërë një punë kolosale në denoncimin me fakte juridike, në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, të krimeve gjenocidiale të shtetit serb në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, ai ishte një ndër caqet e para të regjimit kriminal serb”.

“Familja Kelmendi, me sakrificën e saj sublime, do të përkujtohet gjithmonë si një prej familjeve të mëdha të Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë e vendit”.

“Lavdi për jetë e mot Bajram Kelmendit, Kastriotit dhe Kushtrimit!”, ka shkruar Mustafa.