Mustafa: Bashkë do ta çojmë përpara veprën e presidentit

02.12.2017 12:57:43

Kreu i LDK-së bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit të parë të Kosovës Për nder të ditëlindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së,  Isa Mustafa, bashkë me kryesinë e LDK-së dhe bashkëpunëtorë nderuan jetën dhe veprën e tij me rastin e ditëlindjes së tij. Mustafa tha se ish-presidenti Rugova është dhe do të mbetet një prej figurave më të rëndësishme jo vetëm për LDK-në por edhe për shtetin e Kosovës, i cili ka vënë themelet e shtetndërtimit të Kosovës, ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke qenë kështu presidenti i parë historik i Kosovës. “Ai do të nderohet gjithmonë nga LDK-ja dhe bashkë do ta çojmë përpara veprën e Presidentit Rugova, të zhvillojmë një demokraci të mirëfilltë ashtu siq ai e ka paramenduar dhe i ka vënë themelet, gjithmonë duke u përshtatur me ecuritë bashkëkohore dhe evropiane dhe në bashkëpunim me SHBA-të sepse gjithmonë ka qenë porosi e tij të mbajmë miqësi me SHBA-të dhe BE-në”, tha Isa Mustafa. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, të Istogut. Ibrahim Rugova, ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar. Ish – presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006.