Mustafa bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Rugova: Ka qenë porosi e tij të mbajmë miqësi me SHBA-të dhe BE-në

02.12.2017 13:23:48

Për nder të ditëlindjes së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, bashkë me kryesinë e LDK-së dhe bashkëpunëtorë nderuan jetën dhe veprën e tij.

Sipas një njoftimi, kryetari Mustafa tha se ish-presidenti Rugova është dhe do të mbetet një prej figurave më të rëndësishme jo vetëm për LDK-në por edhe për shtetin e Kosovës, i cili ka vënë themelet e shtetndërtimit të Kosovës, ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duke qenë kështu Presidenti i parë historik i Kosovës.

“Ai do të nderohet gjithmonë nga LDK-ja dhe bashkë do ta çojmë përpara veprën e Presidentit Rugova, të zhvillojmë një demokraci të mirëfilltë ashtu siç ai e ka paramenduar dhe i ka vënë themelet, gjithmonë duke u përshtatur me ecuritë bashkëkohore dhe evropiane dhe në bashkëpunim me SHBA-të sepse gjithmonë ka qenë porosi e tij të mbajmë miqësi me SHBA-të dhe BE-në”, ka thënë kryetari Mustafa.