Mustafa: E panatyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të saj, kjo duhet të merr fund

24.03.2020 22:38:42

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është drejtuar anëtarëve të Kryesisë, deputetëve dhe kryetarëve të degëve të partisë, lidhur me mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Mustafa ka thënë se LDK dhe Kryesia e saj nuk e kanë zgjedhur kohën e coronavirusit për të hapur këtë proces

“LDK ka proceduar me mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti. LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse. Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në”, thuhet në mesazhin e Mustafës, përcjell Telegrafi.

Mustafa ka pohuar se LDK nuk ka dy zgjidhje Thaçin apo Kurtin, por kanë vetëm Kosovën.

“LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën. LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizihet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashkë”, ka pohuar ai.

Në fund të mesazhit, Mustafa ka thënë se nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së.

“Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj. Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, ka thënë Mustafa.

Seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë do të mbahet nesër nga ora 11:00.