Mustafa i përgjigjet Thaçit: Për çështje serioze nuk komunikojmë në “Facebook”

03.09.2017 14:06:53

Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka reaguar ndaj kërkesës së presidentit të vendit, Hashim Thaçi për t’i ndarë 100 mijë dollarë për t’i ndihmuar njerëzit e zhvendosur nga stuhia në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Thaçi këtë kërkesë e bëri përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ndërsa kjo siç duket e ka penguar Mustafën. I cili përmes një shkrimi në llofgarinë e tij, në këtë rrjet sociale ka thënë se e ka vlerësuar të nevojshme që të ndahen 100 mijë dollarë, por ka thënë se presidenti për këto çështje nuk duhet të komunikojë me Qeverinë përmes shkrimeve në rrjetet sociale, por me akte zyrtare.

“Si Kryeministër e kam konsideruar të dhembshme dhe serioze fatin e viktimave dhe mbi një milion njerëzve të zhvendosur nga përmbytjet në Houston. Prandaj edhe ndihmën që mund ta japë Kosova. Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielen, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj. IM”, ka shkruar Mustafa.