Mustafa: Kandidatët që vendosën posterë gjobat i paguajnë vetë

30.09.2017 22:59:31
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë kishte deklaruar se është marrë vendim nga Shtabi zgjedhor që të mos përdoren posterë në këto zgjedhje lokale.

Ky vendim kishte ardhur, siç pati deklaruar Mustafa, në mënyrë që fushata të jetë sa më racionale e me shpenzime më të ulëta, dhe pati thënë se e respektojnë ambientin, pronat publike dhe private.

Mirëpo, sipas ankesave që kanë shkuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në KQZ, del se më së shumti dënime i janë shqiptuar pikërisht LDK-së, e si duket gjobat kanë qenë të ndërlidhura me posterë.

Për këtë, Mustafa tha se LDK do të publikojë emrat e atyre që nuk respektojnë heqjen dorë nga posterët, që dëmtojnë ambientin dhe buxhetin e partisë.

“LDK do të publikojë emrat e atyre që nuk respektojnë heqjen dorë nga posterët, që dëmtojnë ambientin dhe buxhetin e partisë. Do të kërkojmë që dënimet t’i paguajnë ata që thejnë rregullat dhe se nuk do të kërkojmë votë për ata/ato nga qytetarët dhe anëtarësia e LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.