Mustafa: Komuna e Obiliqit do të kenë përkrahje të vazhdueshme të Qeverisë

01.08.2016 15:01:11
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vuri sot gurthemelin e punimeve për ndërtimin e urës në fshatin Plemetin të Obiliqit, e cila lidh shumë fshatra.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Obiliqit,  Xhafer Gashi, kryeministri Mustafa tha se ky projekt, edhe pse nuk është shumë i shtrenjtë, është një investim shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj Komune.

“Komuna ka kohë që ka bërë kërkesë për ndërtimin e kësaj ure që lidh Plemetinin dhe fshatrat andej Sitnicës. Unë shpresoj që me këtë do të përmirësohet gjendja, do të shfrytëzohen tokat të cilat janë atje, do të shkurtohet rruga për të gjithë fshatarët që jetojnë andej lumit”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, tha se Ministria dhe Qeveria do ta marrin mbi vete që në të ardhmen të ndërtohet edhe rruga pasi që vetëm me urën nuk zgjidhet problemi, por fillon zgjidhja e këtij problemi.

“Unë konsideroj se Komuna e Obiliqit meriton përkrahje të Qeverisë dhe qytetarët e kësaj Komune meritojnë që edhe ata të jetojnë në kushte normale, të shfrytëzojnë tokat e tyre, të shfrytëzojnë këtë hapësirë shumë të mirë dhe së bashku me KEK-un t’i zgjidhin edhe disa probleme të cilat po duken këtu se kanë mbetur, që me një mirëkuptim më të madh në mes të Komunës, KEK-ut por edhe të Qeverisë, të zgjidhen këto probleme të qytetarëve”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se vendosja e gurthemelit për ndërtimin e urës është i kamotshëm dhe shumë i pritshëm për banorët e Komunës së Obiliqit.

Gashi, po ashtu, tha se mungesa e kësaj ure ka mbajtur të ndarë një pjesë të madhe të banorëve dhe të gjitha fshatrave të Ortakollit, e në veçanti fshatrat e Komunës së Obiliqit, të cilat s’kanë mundur të lëvizin që nga paslufta.

“Falënderojmë shumë Ministrinë e Infrastrukturës, Kryeministrin për pjesëmarrje në gurthemel dhe për investimin në këtë urë. Mbesim me shpresë që edhe pjesët tjera, projektet tjera t’i vazhdojmë për të plotësuar urën. Faleminderit kryeministër”, tha kryetari Gashi.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se kostoja e ndërtimit të kësaj ure do të jetë përafërsisht 340 mijë euro dhe do të ndërtohet për një vit kalendarik.

“Ura ka dy pjesë, pjesa e parë i ka 70 metra, ndërsa pjesa e dytë i ka 10 metra, e gjerë 5 metra dhe në të dy anët do të ketë trotuare nga një metër e gjysmë”, tha ministri Zharku.

Lidhur me tryezën për procesin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në dobi dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Edhe këtë urë që po e ndërtojmë sot, është urë që ndërtohet në interes të qytetarëve. Mendoj se edhe çështja e shënimit të kufirit do të jetë në interes të qytetarëve që të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe qytetarët pastaj të realizojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Unë nuk shoh ashpërsim të gjuhës, shoh vetëm kërkesë të argumenteve. Unë mendoj se kjo tryezë duhet të qesë në pah argumentet. Në qoftë se flitet për humbje të territorit, duhet të tregohet se cilin territor që e ka administruar Kosova prej vitit ’74 e këndej po e humbim me demarkacion. Në qoftë se nuk gjendet ai territor atëherë ata që kanë krijuar kauzën duhet të tërhiqen nga kauza dhe duhet të votojnë shënimin e vijës kufitare, në mënyrë që ne ta përmbushim edhe atë detyrim që e kemi ndaj Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave dhe jo vetëm për liberalizim të vizave por edhe çështje të tjera të integrimit evropian. Në qoftë se dikush ka dështuar në atë po ashtu do të ketë përgjegjësi për dështimet. Prandaj, unë besoj se njerëzit duhet të jenë racional, nuk kemi nevojë të akuzohemi dhe të shfrytëzojmë çdo fjalë tjetër po jo argumente, sepse retorika këtu nuk ndihmon. Asnjë retorikë në këtë rast nuk ndihmon, këtu ndihmojnë vetëm argumentet. E kemi pas një sipërfaqe të cilën e ka pas Kosova prej vitit ’74 e tutje dhe duhet ta shohim se a e kemi atë sipërfaqe sot, pasi është nënshkruar Marrëveshja e shënimit të vijës kufitare”, tha kryeministri Isa Mustafa.