Mustafa: Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë Mustafa: Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë

09.08.2016 19:40:13

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën për medie të organizuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ku u prezantuan fakte të shumta për rregullsinë e procesit të shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në fokus të kësaj konference ishte prezantimi i detajuar i zonave kadastrale në territorin e Malit të Zi, i cili kufizohet me Republikën e Kosovës, që hedh poshtë pretendimet dhe dëshmon se në atë zonë nuk ka asnjë pjesë të tokës që nuk është e regjistruar në komunat përkatëse në Mal të Zi, se nuk ka “tokë të askujt” dhe se procesi i shënjimit të kufirit është në përputhje të plotë me aktet kushtetuese, ligjore dhe kriteret e përcaktuara.

Fjalimi i plotë

Unë e kam vlerësuar se është e dobishme që sot të takohemi së bashku me kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, në mënyrë që t’iu ofrohen disa prej argumentimeve të cilat janë kërkuar edhe më parë dhe për të cilat unë kam konsideruar se është e dobishme që t’i keni edhe ju, edhe opinioni i Kosovës. Jam së bashku me ministrin e Jashtëm këtu që të bashkëbisedojmë me ju.

Qëllimi i këtij bashkëbisedimi është që ne të realizojmë një proces plotësisht transparent dhe një proces racional të përmbylljes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, dhe ajo çfarë është edhe më e rëndësishme t’i informojmë qytetarët tanë, se Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë nga ajo që e ka administruar sipas Kushtetutës së vitit 1974, sipas Deklaratës për shpalljen e pavarësisë, dhe e ka mbajtur tërësisht territorin të cilin e ka pas, pra territorin në të cilin është pranuar si shtet sovran dhe i pavarur nga 112 vende të botës.

Unë, si Kryeministër i vendit kam kërkuar nga Komisioni Shtetëror që para opinionit të gjerë të sqaroj sipërfaqen që e ka pasur Kosova në vitet e ’70-ta, sipërfaqen që e ka pasur Komuna e Pejës, gjatë tërë kësaj periudhe dhe sot, dhe sipërfaqen të cilën e ka Kosova dhe Komuna e Pejës tani me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe procedimit të Projektligjit për Ratifikimin e kësaj marrëveshje, sepse, as unë, as Qeveria nuk do të lejojë që asnjë pëllëmbë e këtij vendi t’i falet as Malit të Zi, dhe as ndonjë vendi tjetër.

Kam kërkuar po ashtu që para jush dhe para opinionit të sqaroj se kush ka administruar në të kaluarën dhe kush administron tani me tokat për të cilat opozita pretendon se janë të Kosovës, dhe se sipas tyre Kosova humb më shumë se 8 mijë hektarë në këtë proces. Prandaj, sa i përket sipërfaqes përgjigja e Komisionit Shtetëror për të cilën thotë se e merr përgjegjësinë e plotë është, se Kosova i ka 10906 km katrorë, ashtu sa i ka pasur edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974, për territorin që është administruar me këtë Kushtetutë dhe kjo Kushtetutë thotë se territorin e Krahinës Socialiste Autonome, e përbëjnë territoret e komunave të tanishme.

Përkatësisht sipas bazës së shpalljes së pavarësisë, Pakos së Ahtisaarit, aneksi 8, që parasheh se kufijtë e Kosovës do të jenë ata kufij që Kosova i ka pas më 31 dhjetor të vitit 1988.

Komuna e Pejës po ashtu, i ka njëjtë 603 km katrorë, si në atë periudhë sikurse edhe sot, nuk ka humbur asnjë vendbanim, nuk e ka humbur asnjë pëllëmbë tokë, nuk e ka humbur asnjë zonë kadastrale dhe asnjë pjesë të ndonjë zone kadastrale. Dokumentacioni kadastral i Komunës së Pejës është origjinal, ky dokumentacion nuk është grabitur nga Serbia sepse është e vetmja komunë që është ruajtur dokumentacioni kadastral dhe ai dokumentacion kadastral është në përputhje të plotë me territorin që tani menaxhon Komuna e Pejës.

Prandaj, kauza e opozitës por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor, duke përdorur lloj-lloj hartash e duke mos marrë parasysh realitetin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, konsideroj se është e rrejshme, është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike, duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste.

Unë jam shumë i bindur, se sikur opozita e cila sot po kundërshton këtë marrëveshje pa asnjë argument të qëndrueshëm të ishte në pushtet ajo sot do ta votonte me të dy duart, por problemi është se ata nuk janë në pushtet dhe nuk dëshirojnë që Kosova t’i kaloj këto procese. Prandaj, konstatoj pa asnjë hamendje që ata që e kundërshtojnë këtë vijë kufitare, e bëjnë për të mbështetur një kauzë të rrejshme të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht të opozitës, dhe kjo në asnjë rast nuk ka të bëjë me humbje të territorit të Kosovës, është çështje joparimore, është çështje e votës dhe e mashtrimit të qytetarëve.

Caktimi i vijës së kufirit është proces i dyanshëm ose bilateral, proces i argumenteve dhe i vullnetit dypalësh.

As Kosova si tërësi, sikurse as Mali i Zi, pra edhe asnjë subjekt politik dhe asnjë individ, nuk mund të diktoj prerjen e kufirit sipas dëshirave dhe orekseve të njëanshme, është gjithmonë proces i dyanshëm.

E dyta: Sa i përket faktit se kush janë pronarët e tokave, që qytetarët tanë nga këto anë i kanë shfrytëzuar, dhe se a ka Mali i Zi të dhëna kadastrale për to, Komisioni do t’iu prezantoj juve sot konkretisht, dhe do të përgjigjet në çdo kërkesë tuajën për të demonstruar faktet përgjatë vijës kufitare, në këtë rast andej vijës kufitare.

Gjendja faktike është kjo:

1.      Qytetarët tanë i kanë shfrytëzuar me shekuj ato toka për stane dhe për bagëti. Dëshmitë janë se ata kanë paguar taksa për shfrytëzimin e këtyre trojeve në Komunën  e Rozhajës, për tokën që e kanë shfrytëzuar, dhe se ata kanë marrë leje në Komunën e Plavës për drunjtë të cilët i kanë prerë në pyjet e kësaj Komune. Tokat mund t’i shfrytëzojnë edhe sot, edhe në të ardhmen, sepse ekziston vullneti i plotë i Malit të Zi për këtë çështje.

2.      Kosova gjatë procesit të shënimit të kufirit, ka ofruar të gjitha faktet për territorin të cilin e ka administruar përmes komunave, sepse Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë territor tjetër jashtë asaj që administrohet në komuna. Pra, nuk ka territor të tretë dhe nuk ka tokë të askujt. Çdo tokë, qoftë ajo private, pronë komunale, pronë e kompanive publike, pronë e institucioneve dhe agjencioneve qeveritare, pronë ndërmarrjeve shoqërore që janë nën administrimin e AKP-së, ekziston në Pejë dhe figuron në këtë komunë, të Pejës. Detyrë e jona ka qenë që të sigurohemi që ne territorin tonë e kemi ruajtur tërësisht, brenda kufijve shtetëror, dhe unë ju garantoj që kjo është ruajtur me punën e Komisionit.

3.      Në këtë proces, pala malazeze po ashtu ka ofruar fakte se tokat andej vijës së shënuar kufitare, figurojnë në pronarë publikë dhe pronarë privatë. Përkatësisht, se këto toka janë administruar përpara dhe administrohen edhe sot nga dy komuna, nga Komuna e Rozhajës dhe Komuna e Plavës. Të dhënat që Komisioni jonë i ka ofruar, që i keni këtu në këto libra, janë se këto prona evidentohen të regjistruara në vitin 1954 si kadastër përshkrues, në vitin 1956 dhe në vitet e mëtejme, do të thotë se nuk do të flitet për atë se këto dokumente janë rregulluar në kohën kur është bërë shënimi i vijës kufitare.

4.      Kadastri në pjesën e Malit të Zi është i digjitalizuar dhe çdo qytetar i joni, prandaj edhe çdo deputetë, mund të hyj në adresën elektronike dhe të vërtetojë për çdo komunë, për çdo zonë, për çdo bllok kadastral si dhe për çdo parcelë, se cilës komunë i takon, përkatësisht kush e administron, cilit shtet i takon, dhe cili është pronari publik apo privat i këtyre pronave. Këtu i keni të gjitha. Për të qenë krejtësisht i qartë, si kryeministër kam kërkuar që Komisioni sot të demonstroj para jush këto fakte të pronave andej vijës së shënimit të kufirit, dhe çdo pronë që juve ju intereson sot, në Çakorr, në Zhlep, dhe ku ju dëshironi që ta vërtetoni vetë sot se ku janë ato prona të regjistruara atje.

Procesi i vijës kufitare me Malin e Zi nuk rregullon padrejtësitë historike. Procesi pasqyron një moment faktik, kushtimisht të themi, procesi është i ngrirë në kohën kur është bërë shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe mbi bazën e dokumenteve mbi të cilat është bërë shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Askush sot  nuk mund të shpallet tradhtar për padrejtësitë historike të cilat i janë bërë Kosovës, por askush nuk mund të kërkoj që në emër të shpalljes tradhtar dikujt, të përfitoj nga toka që Kosova sot nuk i administron, e që nuk i ka administruar as dje, sepse ne nuk mund të hyjmë në konflikt me vendet fqinje.

Manipulimi i këtij procesi për të shantazhuar dhe për të shpallur tradhtar jo vetëm se politikisht është i dëmshëm, por është i rrezikshëm për ngjalljen e ciklit të dhunës, për rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe për rrezikimin e stabilitetit të vendit.

Prandaj, unë edhe me këtë rast kërkoj nga organet e rendit, kërkoj nga policia, nga prokuroria dhe organet e gjyqësisë, që për çdo etiketim, për çdo kërcënim, të ndërmarrim të gjitha veprimet për të parandaluar efektet negative që mund t’i kenë për vendin. Kërkoj po ashtu, e kam kërkuar edhe më parë, që organet e drejtësisë të ndërmarrin të gjitha hapat, ndaj çdokujt, që dyshohet se e ka dëmtuar këtë proces, në qoftë se dikush ka fakte ato fakte t’i ofroj, por po ashtu të marrin masa edhe andaj atyre që për interes politik pa fakte, po e djegin vendin, po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Kjo ka ndodh edhe sot në Kuvend, sepse edhe sot nga ata që kërkojnë demokraci, nga ata që kërkojnë transparencë, që kërkohet që të debatohet për këtë çështje, ata e pengojnë këtë debat, e pengojnë që qytetarëve t’iu ofrohen fakte, dhe i pengojnë proceset euro-integruese dhe euroatlantike të Kosovës.

Edhe njëherë them para jush këtu, se Qeveria nuk do të lejoj që të tjetërsohet asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës në këtë proces, dhe ne do të përkrahim që ajo pëllëmbë e tokës të mbrohej edhe me gjak. Por, në rastin konkret, do të shihni se ato toka janë të pronarëve të Malit të Zi, janë administruar dhe administrohen nga Komuna e Plavës dhe e Rozhajës, prandaj neve nuk na takon që ne të tregohemi trima, ose që ne të tregojmë trimëri për pronat të cilat nuk janë tonat, sepse edhe me Deklaratën e Pavarësisë, edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, jemi zotuar se do të respektojmë integritetin territorial të vendeve fqinje dhe ky është obligim dhe është detyrë e jona.

Dhe krejt në fund e them se Qeveria është siguruar nga Komisioni Shtetëror, se në mënyrën më profesionale dhe me përgjegjësi të plotë ligjore dhe profesionale, e ka caktuar vijën kufitare. Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Caktimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili projektligj e le mundësinë e hapur që çdoherë dhe në çdo moment kur dikush mund të vërtetojë se një pronë private, publike apo pronë tjetër e Kosovës, cila është administruar këtu, ka kaluar andej kufirit kjo të zgjidhet me mirëkuptim dypalësh. Prandaj, unë konsideroj se tani është përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ata të marrin vendim lidhur me këtë.

Ky vendim nuk është vendim i thjeshtë, por dëshiroj të rikujtoj se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të vendoset për kufirin shtetëror që është me rëndësi jetike për ne, do të vendoset për një kufi me shtetin mik dhe dashamirës të Kosovës. Do të vendoset për sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Do të vendoset për përmbushjen e kriterit të fundit të liberalizimit të vizave, për atë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës a do t’i mbajnë të ngujuar qytetarët tanë edhe më tutje, tani me vendimin tonë dhe jo më me vendimin e Bashkimit Evropian, apo do ta hapim mundësinë që edhe qytetarët tanë të lëvizin në shtetet e Bashkimit Evropian ashtu siç lëvizin qytetarët tjerë evropianë. Do të vendoset po ashtu se a i respektojmë vlerësimet miqve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë qenë shumë të qarta dhe kanë qenë eksplicit sa i përket këtij procesi. Vendoset gjithashtu për reflektimin e përkushtimit tonë për mënyrën e zgjidhjes së marrëdhënieve me fqinjët që hap dyert edhe për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe po ashtu edhe për shumë çështje që i takojnë interesit tonë të integrimit evropian.

Unë konsideroj se alternativa jonë është vetëm integrimi evropian dhe euroatlantik, është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është çuarja përpara e proceseve tona të mëdha. Ne nuk kemi mundësi tjetër dhe në këtë rast ne nuk duhet të biem pre e kauzës opozitare e cila nuk ka perspektivë por e cila na kthen prapa.

 

Lidhur me sulmin me mjete shpërthyese në shtëpinë e kryetarit të komisionit shtetëror, Murat Meha, kryeministri Mustafa ka thënë:

 

Sapo morëm lajmin nga Policia që tek shtëpia e z. Meha është hedhur një mjet shpërthyes, që është gjetur nga Policia. Ne e dënojmë këtë akt dhe e konsiderojmë që është krejtësisht i papranueshëm. Të gjithë ata që dëshirojnë që përmes frikës dhe akteve të tilla, duke e rrezikuar edhe jetën e njerëzve dhe të familjeve të tyre, flet më së miri se me kë kemi të bëjmë punë, se kemi të bëjmë me ata që nuk janë duke menduar për Kosovën, për shtetin e Kosovës, por me çdo kusht po dëshirojnë që të pengojnë ardhmërinë e këtij vendi. Kjo na bënë edhe më të vendosur, edhe më të fuqishëm që ne këto procese t’i shtyjmë përpara e bënë edhe z. Meha i cili edhe përkundër sulmeve, sot është para jush të prezantoj një punë shumë të përgjegjshme që e kanë bërë.