Mustafa: KOSTT do të operojë në gjithë Kosovën

21.07.2016 09:41:39

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë takimit me zyrtarë të lartë të KOSTT-it, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të japë maksimumin në mënyrë që kjo kompani publike të arrijë të operojë në tërë territorin e Kosovës

Qeveria e Kosovës do të japë maksimumin në mënyrë që KOSTT-i të arrijë të operojë në tërë territorin e Kosovës.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë takimit me zyrtarë të lartë të kësaj kompanie.

Ai më tutje tha se do të mundohen që Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) të mundësohet të operojë në tërë territorin e Kosovës dhe gjithashtu të jetë i barabartë edhe me terë operatorët e tjerë evropianë në këtë operim.

“Në pikëpamje financiare ka pasur investime të suksesshme në periudhën e kaluar rreth 200 milionë euro se ka pasur një plan shumë konkret të investimeve në të ardhmen. Bashkërisht me Shqipërinë dhe me kyçje e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është arritur një projekt i rëndësishëm i transmisionit të energjisë elektrike prej 400 kV, i cili po mbetet peng i marrëveshjes që ne kemi pasur me Serbinë për anëtarësimin e KOSTT-it në Organizatën Evropiane të Transmisionit të Energjisë dhe ne do të bëjmë maksimalen që të arrijmë që kjo marrëveshje të implemantohet dhe që KOSTT-i të operojë me tregun krahas fushave tjera të cilat po i zhvillon në Kosovë dhe që ne të arrijmë të ushtrojmë sovranitetin e plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës në pikëpamjen e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo ndërmarrje tanimë do të jetë prioritet edhe i Kuvendit të Kosovës sepse sipas tij me ligjin e ri, KOSTT-i do të qeveriset në mënyrë korporative drejtpërdrejt me kyçjen e Kuvendit të Kosovës.

I pari i ekzekutivit ka thënë se edhe marrëveshja për energjinë e arritur në Bruksel nuk po mund të gjejë zbatim. Ai ka thënë se dy kompanitë serbe nuk e kanë zbatuar procedurën dhe ligjet e Republikës së Kosovës në mënyrë që të aplikojnë ashtu siç e parashohin ligjet tona.

Mustafa tha se këto çështje do të diskutohen përsëri edhe në Bruksel dhe, sipas tij, zgjidhja do të gjendet sepse Serbia duhet të bëjë aplikimin e vet ashtu siç është paraparë me ligj.