Mustafa: Kur fiton LDK-ja, fiton krejt Kosova

02.10.2017 18:48:18

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Malishevë, se sa herë fiton LDK-ja në zgjedhje –fiton krejt Kosova, pavarësisht përcaktimeve partiake të qytetarëve.

“Programi i LDK-së është më i miri. Ne kemi njerëzit më të mirë, më të përkushtuar, më të aftë, të cilët do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në Malishevë. Ne nuk do të punojmë vetëm për elektoratin e LDK-së, por do të punojmë për gjithë Malishevën. Sa kam qenë kryeministër i kam përkrahur projektet e Malishevës edhe pse nuk e kemi qeverisur komunën”, ka thënë Mustafa.

Ai potencoi se LDK –ja është orientuar dhe ka synim kryesor të qeverisjes lokale, zhvillimi ekonomik. “Ai do të jetë fokusi jonë themelor për të hapur vende të reja të punës, të krijojmë mirëqenie për qytetarët, ta rrisim standardin e jetës. Përmes zhvillimit ekonomik ne do të krijojmë kushte për investime në arsim, në shëndetësi, në infrastrukturë, mbrojtje të mjedisit, etj”, tha kreu i LDK-së.

Ai përkujtoi se janë arritur rezultate nëpërmes trinomit të Presidentit Rugova, liri, demokraci dhe pavarësi, sepse e kemi fituar lirinë, e kemi fituar pavarësinë, ndërsa demokracia është një çështje e pafund.

“Por tani ne e kemi objektiv zhvillimin ekonomik, në mënyrë që shtetin të cilin e kemi krijuar, ta bëjmë që qytetarët të dëshirojnë të jetojnë në atë shtet. Ne nuk e kemi bërë shtetin që të ikim nga ky shtet, prandaj duhet të punojmë shumë në komuna që ta përmirësojmë gjendjen ekonomike-sociale, të ofrojmë vende pune për këta të rinjtë dhe të rejat që janë të papunësuara, ta ulin varfërinë dhe skamjen”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike.

Kandidat i LDK-së për kryetar të Malishevës, Sami Kafexholli, ka thënë se LDK në Malishevë ka qenë përherë e përkushtuar në mbrojtjen, kultivimin dhe avancimin e vlerave dhe orientimit programor autentike që LDK-në e kanë bërë subjekt të besueshëm për qytetarët.

“Angazhimi i asamblistëve të LDK-së në Malishevë është manifestuar në të gjitha fushat e jetës andaj është fokusuar në ndaljen e padrejtësive të qytetarëve në arsim, shëndetësi, investime etj. Programi i LDK-së për Malishevën përmban orientimet dhe nevojat reale të qytetarëve të komunës sonë”, tha Kafexholli.

Ai potencoi se prioritetet e qeverisjes së tij do të jenë zhvillimin ekonomik, administratë profesionale, arsim dhe shëndetësi të papolitizuar, transparencë buxhetore dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit.