Mustafa: LDK nuk është kundër dialogut, por ai të riformatizohet

29.12.2018 22:16:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se institucionet e Kosovës nuk mund të kryejnë procesin e dialogut, pasi që duhet të jetë një pajtueshmëri më e gjerë e forcave politike në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerësoi se duhet të ketë zgjedhje.

“Duhet të ketë riformatim të dialogut, nuk mund të ketë dialog nëse nuk ka gjithë përfshirje, ose nuk ka transparencë ndaj subjekteve kryesore politike brenda vendit, kështu si është, unë dyshoj se dialogu do të jetë i suksesshëm”, tha Mustafa për RTK.

Sipas tij riformatimi i dialogut duhet të bëhet përmes zgjedhjeve të reja, ose përmes një organizmi radikal, që do të thotë një përfaqësim krejt tjetër në procesin e dialogut.

“Ne për atë mund të japim propozimet tona, edhe idetë tona, por kështu si është që do të thotë që ne të jemi “bishti’, nuk do të bëhemi pjesë”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, vlerësoi se taksa 100 % të qeverisë së Kosovës, ka pasur vend.

“Çdo gjë vendim ndaj Serbisë, është i arsyeshëm, ajo po bën propagandë kundër Kosovës, ajo na ka nxjerrë probleme për Interpol, ne kemi nënshkruar marrëveshje edhe ka dy herë”, tha Mustafa.