Mustafa në Nju Jork, që të kërkojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

18.09.2016 15:57:41

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku pritet të zhvillojë takime me liderë të shteteve të cilët janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Mustafa, gjatë vizitës pritet të marrë pjesë edhe në evente të veçanta të organizuara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, nga Fondacioni Clinton si dhe do të takojë shumë presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të delegacioneve shtetërore e drejtues të organizatave ndërkombëtare, transmeton Indeksonline.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

Mustafa thuhet se do të kërkojë mbështetjen e vendeve partnere për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe do të lobojë për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë marrë këtë vendim, thuhet në një komunikatë për media./Indeksonline/