Mustafa: Nëse reagimi i Kocijançiq për Trepçën pasqyron qëndrimin e BE-së, ky është një incident i rëndë (Video)

06.02.2019 21:32:32

Profesori universitar i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka thënë Trepça në asnjë mënyrë nuk duhet të vendoset në tavolinën e bisedimeve pasi për të është biseduar në Vjenë.

Mustafa, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se reagimi i zonjës Maja Kocijançiq – zëdhënëses së shefes për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte një incident për shkak se ajo nuk ka njohuri për këtë çështje.

Sipas tij, nëse kjo që e ka thënë Kocijançiq për Trepçën është qëndrim i Bashkimit Evropian, është një incident i rëndë.

“Shpresoj që reagimi i zonjës Kocijançiq është një reagim incidental dhe buron nga mos njohuria e saj. Ndryshe nëse ky është qëndrim i Bashkimit Evropian, është një incident i rëndë. Jam i lumtur që ka pasur një reagim të menjëhershëm nga liderët institucionalë dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, Mustafa ka thënë se Kosova ka bërë shumë lëshime në bisedimet e Vjenës, ndërsa lëshimet e tjera në Bruksel do të ishin gabim.

“Pa konsolidim të shtetësisë së Kosovës, anëtarësim në OKB, do të ishte gabim që Kosova të bënte lëshime tjera”, tha  Mustafa.