Mustafa: Njohja e Kosovës nga Surinami lajm i mirë, ftoj partitë t’i lënë anash agjendat partiake

22.07.2016 15:47:53

Kryeministri i vendit Isa Mustafa ka thënë se lajmi për njohjen e Kosovës nga Republika e Surinames, vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Mustafa ka shkruar se Kosova tashmë është njohur nga 112 shtete të botës.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,
Sapo mora lajmin që Republika e Kosovës sot është njohur nga Republika e Surinames.
Ky lajm i mirë, vjen pikërisht në ditën kur Kosova shënon gjashtë vjetorin e mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ky vendim i dha një mbështetje të fuqishme shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe konfirmoi legjitimitetin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.
Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 112 shtete të botës.
Me përkushtimin maksimal të qytetarëve dhe institucioneve të saj, si dhe me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, Kosova po bën hapa të mëdhenj në zhvillimin ekonomik, në proceset integruese euroatlantike dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.
E ardhmja e Kosovës është anëtarësia në Kombet e Bashkuara, në NATO dhe në gjirin e familjes evropiane.
Andaj, ftoj të gjitha subjektet politike që të lenë anash agjendat partiake dhe të jenë pjesë e proceseve që forcojnë sovranitetin e shtetit, i hapin udhë liberalizmit të vizave dhe proceseve tjera integruese si dhe krijojnë mundësi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.