Mustafa përkujton Shaban Manaj, kërkon zbardhjen e vrasjes së tij dhe veprimtarëve tjerë të LDK-së

23.07.2020 11:38:24

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në 20 vjetorin e vrasjes, ka përkujtuar veprimtarin Shaban Manaj, të cilin e ka vlerësuar si personalitet të veçantë i udhëhequr nga idealet e presidentit historik.

Mustafa ndër të tjerash ka thënë se shumë veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

Sot, bëhen 20 vite nga vrasja tinëzare me motive politike, e veprimtarit dhe avokatit të shquar, Shaban Manaj.

Shaban Manaj ishte personalitet i veçantë i udhëhequr nga idealet e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, atdhetar, intelektual i mirëfilltë dhe veprimtar, i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me plotë meritë u dekorua “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij të dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në periudhat më të vështira.

Populli i Kosovës dhe LDK-ja do t’i përkujtojnë dhe nderojnë Shaban Manajn dhe të gjithë intelektualët dhe veprimtarët që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë.

Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj Lidhja Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të zbardhin vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit, për vrasjen e shumë personaliteteve të shquara pas çlirimit në rrethana ende misterioze për popullin e Kosovës.

Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt, përherë mirënjohës për sakrificën e tij.