Mustafa: Po punojmë që të përgadisim mocion për rrëzimin e Qeverisë

18.12.2017 17:47:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë një konference për media ka folur edhe për situatën aktuale politike në vend. Ai ka  treguar se Qeveria e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj nuk do të qëndrojë gjatë.

Sipas tij, kjo qeveri gjatë kohës sa ka qenë ka marrë vendime  jo kushtetuese. Mustafa thotë se do të bisedojnë me partinë e Lëvizjes Vetëvendosjes që ta përgatitin mocionin për rrëzimin e saj.

“Mendoj se kjo Qeveri nuk e ka gjatë dhe nuk e meriton të ketë gjatë, vendimet që Qeveria i ka marrë gjatë kësaj periudhe kanë vetveten dhe  strukturën e tyre të gabuar edhe jo kushtetuese  dhe vendime jo ligjore dhe është dëm për Kosovën që të lejohet një Qeveri e tillë e cila merr vendime arbitrare  dhe nuk e ka bazament ligjin dhe kushtetutën për më shumë traditën odën dhe çështjet e edikteve të tjera”.

“Ne do të bisedojmë me  grupin tonë parlamentar do ta vlerësojmë situatën, do të bisedojmë edhe me partinë tjetër opozitare dhe në momentin kur ne e vlerësojmë bashkërisht do të fillojmë procesin e mocionit, për këtë do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Mustafa.

Më tej, ish- kryeministri garanton qytetarët se qeveria aktuale do të bie. Sipas tij, koalicioni qeverisës është mision i dëmshëm për Kosovën.

“Ajo që mund të ju them juve është se ne jemi të bindur se kjo qeveri nuk do të qëndrojë gjatë, nuk do ta lejojmë këtë. Ky koalicion është një mision i paqëndrueshëm dhe i dëmshëm për Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.

Ndryshe, kjo konferencë ka ardhur pak para përfundimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, ku fitues i Istogut doli kandidati i LDK-së, Haki Rugova duke e mposhtur atë të AAK-së, Gani Dreshajn.