Mustafa: Qeveria do të punoj për themelimin e asociacionit

19.08.2016 10:11:20

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin me zëvendës presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të mërkurën në Prishtinë.

Mustafa foli për mesazhet dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën kjo vizitë e zëvendës presidentit Biden, për temat e takimit dhe për angazhimin e dy vendeve për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Këtë javë kishim një vizitë, të cilën lirisht mund ta konsiderojmë historike dhe tepër të rëndësishme për Kosovën, vizitën e zëvendës presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Vetë vizita, në esencën e saj, tregon përkushtimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë për Kosovën. Kosova është falënderuese për gjithë atë që Qeveria e SHBA-së dhe populli amerikan e kanë bërë për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin demokratik dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës.

Përgjegjësia jonë është e madhe, sepse karshi një partneri strategjik të Kosovës duhet të shtojmë rezultatet konkrete në shumë fusha. Siç vlerësoi edhe zëvendës presidenti  Biden, sukseset në Kosovë nuk do të jenë vetëm suksese të Kosovës dhe suksese për Kosovën, por ato do të reflektohen edhe në rajon dhe më gjerë, do t’i ndihmojnë mirëqenies, paqes dhe stabilitetit global.

Duhet të kemi të gjithë parasysh se Kosova është një investim i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj karshi kësaj falënderimi ynë është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi që kishim me z. Biden, u përqendrua sidomos në këto fusha.

1.Në zhvillimin ekonomik, edhe përkundër faktit se kemi shënuar rritje të lartë ekonomike, që është më e larta në rajon  prej 4 për qind vitin e kaluar . Ishte vlerësim i përbashkët se duhet ndërmarrë veprime shumë konkrete për të adresuar zhvillimin ekonomik, i cili do të zbuste shkallën e tanishme të papunësisë prej mbi 30 për qind dhe sidomos shkallën shumë të lartë të papunësisë të rinjve dhe grave. SHBA-të do të ndihmojnë Kosovën me investime direkte, siç është edhe investimi privat në Kosovën e Re, programi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, dhe përkrahje tjetër ekonomike, por lypset forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

2. Krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen në të gjitha poret e shoqërisë dhe duhet të vazhdohet me masa konkrete ndaj të gjithë punonjësve dhe bartësve të pozitave të larta në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët bien në konflikt me ligjin, nuk e zbatojnë ligjin, ose atë e zbatojnë në mënyrë të gabuar.

3. U vlerësua lartë dhe u veçua rezultati i Kosovës në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Çështje tjetër ishte, vazhdimi i dialogut me Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me këtë shtet dhe implementimi i marrëveshjeve ishte po ashtu, ndër çështjet të cilave iu dha rëndësi e veçantë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se duhet të implementohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konkluduar se Asociacioni është bërë obligim për Kosovën, sepse është ratifikuar me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë si marrëveshje ndërkombëtare.

Qeveria, duke marrë parasysh se është caktuar ekipi menaxhues, do të punojë që Asociacioni të themelohet duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjen e parë të ratifikuar me Ligj.

4. Shtetet  e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi është shumë e qartë. Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësim se kjo vijë është në harmoni me vijën në të cilën SHBA e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që përputhet me territorin që Kosova ka pasur si Krahinë Autonome në ish-Jugosllavi. Zëvendës presidenti Biden ishte shumë i hapur dhe konkret lidhur me detyrimet tona për të proceduar me ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje.

Vërejtjet ishin se nuk kemi bërë sa duhet për ta njoftuar opinionin me të vërtetën e kësaj çështjeje, dhe se e vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

5. Pranuam porosi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahëse e madhe e Kosovës, por se kjo përkrahje do të jetë në varësi se si Kosova i përmbush këto detyrime ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj pjesës më të madhe të qytetareve të saj, të cilët kërkojnë zhvillim ekonomik, kërkojnë rend dhe ligj, kërkojnë anëtarësim në institucionet e BE-së dhe lëvizje të lirë, sikurse edhe qytetarët e tjerë evropian.

Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i konsiderojë me seriozitetin më të lartë porositë të cilat i morëm nga zëvendës presidenti Biden, që në fakt siç u tha edhe nga ai vetë prezantojnë porositë dhe qëndrimet edhe të presidentit të SHBA-së , të cilin ai e zëvendëson.

Qeveria me prioritet të fuqishëm do të angazhohet në reformat të cilat krijojnë zhvillim dhe prosperitet ekonomik, zvogëlojnë papunësinë, forcojnë qëndrueshmërinë makroekonomike dhe buxhetore dhe integrojnë vendin tonë në tregun evropian dhe atë botëror;

Qeveria do të mbështesë të gjitha institucionet relevante të vendit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; prandaj toleranca e Qeverisë ndaj korrupsionit do të jetë zero. Qeveria do të vazhdojë me ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët. Do të vazhdojë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për themelimin e Asociacionit