Mustafa: Serbia nuk është e interesuar t’i normalizojë raportet me Kosovën

26.02.2019 15:39:10

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot Serbia nuk është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.

Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.

Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndeshë me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke.

Prandaj do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet për të kultivuar një mjedis në të cilin punojmë për prosperitet të qytetarëve tanë”, shkruan Mustafa.