Mustafa takon kryetarët e degëve të LDK-së, flasin për Balotazhin

06.11.2017 13:13:55

Nën kryesimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Akademik Isa Mustafa, është mbajtur sot mbledhja e strukturave drejtuese me kryetarë të degëve të LDK-së, gjatë të cilës është diskutuar rreth përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas një njoftimi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i njoftoi kryetarët e degëve për angazhimin e tërë potencialit të LDK-së në komunat ku LDK-ja është në balotazh.

“Orientimi themelor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është të fuqizojë edhe më tutje votën e LDK-së dhe të fitojë përkrahje të gjerë qytetare në Prishtinë dhe në komunat e tjera ku garohet në raundin e dytë”.

“U vlerësua një punë përmbajtësore dhe dinamike e cila po zhvillohet në terren, si dhe përkushtimi i kandidatëve për kryetarë të komunave, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“U ritheksua se orientimi i LDK-së është koalicioni me qytetarin, duke bërë të ditur që LDK-ja do t’ju ofrojë qytetarëve programin e saj që garanton qeverisje me qytetarët në fushat me interes jetik, siç është zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, arsimim cilësor, ofrime cilësore të shërbimeve shëndetësore dhe zgjidhje afatgjate të probleme ambientale dhe infrastrukturore”.

“LDK e vlerëson përkrahjen e tanishme të qytetarëve dhe do të jetë e përgjegjshme në realizimin e programeve të ofruara në të gjitha komunat ku ajo fitoi dhe do të dalë fituese”, thuhet në njoftimin e LDK-së.