Mustafa: Të pagjeturit, plaga më e madhe e Kosovës së lirë

30.08.2016 14:02:52

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, i ka përkujtuar dhe ka shprehur dhembjen për të pagjeturit në Kosovë.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast ka theksuar se të pagjeturit janë plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare që nga përfundimi i luftës.

Duke shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar pareshtur në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kryeministri Mustafa, ka theksuar mbështetje të gjithanshme edhe për familjarët e të pagjeturve, transmeton Indeksonline.

“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet do të punojnë me përkushtim maksimal në të gjitha drejtimet me qëllim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve në Kosovë. Të pagjeturit janë plaga më e rëndë e Kosovës dhe dhimbja jonë me e madhe”, ka thënë kryeministri.

Më tej, kryeministri Isa Mustafa edhe një herë ka apeluar të bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin mbi autoritetet serbe që të tregojnë ku ndodhen të pagjeturit e Kosovës, të cilët janë rrëmbyer gjatë luftës dhe të dorëzojnë kryesit e akteve kriminale gjatë asaj periudhe, thuhet në një komunikatë për media.