Mutacion politiko-institucional

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë është bërë e qartë strategjia sipas të cilës VV do të votonte ndonjë kandidat tjetër të PAN-it për kryetar të Kuvendit, me mundësi që pastaj VV të marrë drejtimin e Qeverisë. Mbetet të shihet se kjo strategji a do të mund të realizohet në një marrëveshje PAN-VV, apo në një koalicion VV-LAA. Sido që të jetë, mundësia që PAN të kishte kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kurse VV të kishte kryeministrin, është një mundësi që do të paraqiste një mutacion politiko-institucional, pasi që PAN do të ishte edhe në pushtet, edhe në opozitë, ose thënë ndryshe, Kuvendi do të udhëhiqej nga opozita që jo vetëm do të ishte paradoksal, por edhe që do të mund të bllokonte funksionimin e institucioneve, sidomos të Qeverisë, marrë parasysh faktin se kryetari i Kuvendit do të mund të bllokonte, ose të vështirësonte nismat ligjore qeveritare.

Në aspektin praktik, një strategji e tillë, siç kam shpjeguar edhe më moti, do të ishte e vështirë pasi që nëse AAK do të privohej nga posti i kryeministrit nuk do të qëndronte edhe më tej brenda koalicionit PAN. Pra, si rrjedhim, PAN do të shpërbëhej, e që vë në diskutim postin e kryetarit të Kuvendit për PDK-në. Në këtë kontekst, PAN nuk do të mund të pranonte një situatë të tillë, prandaj, do të vazhdojë që me shantazhe të bëjë numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e edhe të Qeverisë, ose do ta çojë vendin në zgjedhje. Në një situatë kur PAN do të mund të mund të bënte numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverinë, atëherë do të mund të llogariste në prishjen e LAA-së, pra që AKR të dalë nga koalicioni dhe t’i bashkohet PAN-it, kurse brenda LDK-së, klani i VV-së do të bënte gjithçka që të pushtonte LDK-në. Nëse, megjithatë, PAN nuk do të mund të arrijë të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, atëherë do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve tjera. Dhe ky mund të jetë edhe një interes i përbashkët i PAN-it dhe VV-së, për të rritur votat për ta në dëm të LDK-së.

Të dyja mundësitë janë të mundshme derisa jemi në hapat fillestarë të konstituimit të Kuvendit, por nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që PAN dhe LAA të prishen, dhe të krijohet një mundësi e tretë: mundësia e një koalicioni VV-PDK dhe të tjerët. Edhe pse kjo e fundit, në bazë të zhvillimeve socio-politike nuk duket një mundësi reale, megjithatë, mbetet një mundësi që duhet të kihet parasysh.