Mynxyra antishqiptare në Luginën e Preshevës

14.04.2018 14:45:19

Shkruan: Nehat Hyseni

Në vigjilie të pesë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes midis Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, më 19 prill 2013 në Bruksel, Serbia triumfoi me instalimin e vasalëve të saj, dmth mynxyrës antishqiptare në udhëheqjen e pushtetit lokal të komunës së Preshevës.
Të ballafaquar me sfida e probleme të panumërta të përditshmërisë sonë të zymtë, ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, si edhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, gjithënjë jetojmë me shpresë se “do të bëhet më mirë”.
Shpresa po na mbanë gjallë edhe këto ditë të herëshme pranverore, kur kanë filluar pemët të lulëzojnë, lulet të çelin e natyra të gjelbërohet.
Edhe cicërima e zogjëve ka marrë hov gjithandej, me këngën e tyre të këndëshme pranverore, të cilën ka filluar pak si shpeshë ta “shoqëroj” zhurma shurdhuese e avionëve ushtarak të Serbisë mbi qiellin e Preshevës, me fluturimet e tyre tejet të ulëta, thuajse i prekin pullazet e shtëpive dhe ia fusin frikën e trishtimim deri në palcë edhe foshnjave në djep.
Kryetari i sapozgjedhur të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin, i cili njihet si mik i afërt i Vuçiqit dhe partisë së tij SNS-it, që kontribuoi shumë për ngjitje në pushtet këtij në zgjedhjet e parakohëshme lokale të 24 dhjetorit 2017.
Ky kontribut i Serbisë për “kryetarin tonë”, ishte domethënës dhe kuptimplotë, sidomos gjatë fushatës parazgjedhore, duke ia mundësuar Shqiprim Arifit, si “njeri i mirë” (lexo: “shqiptar I ndershëm”- “pošteni albanac”), një fond mbi tre milion euro për arritjen e “fitores së merituar”.
Komuna e Preshevës, gjatë tërë kohës së fushatës ishte shndërruar në kantier ndërtimi dhe gumëzhinte nga makineritë, duke vendosur shtylla, kubëza e pllaka betoni kudo që mendohej se mund të sillte vota me asfalt mbi baltë e ara, në panikun e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, për ta konvertuar kryetarin e dhunshëm, dmth Shqiprimin, në “kryetar të zgjedhur”.
Prandaj, Serbia nuk kurseu para dhe mund në këtë punë “patriotike”, për ta bërë këtë “njeri të mirë” të Vuçiqit, kryetar të Komunës së Preshevës.
Natyrisht se personi apo “njeriu i mirë” për Serbinë, s’ka mundësi që të mos jetë “i mirë” edhe për shqiptarët.
Sepse, ai “zbuloi” se “fajin për prapambetje dhe moszhvillim të Luginës së Preshevës, nuk e ka Serbia, por se fajin e kanë shqiptarët”!
Prandaj, duhej larguar nga skena politike politikbërja “e dështuar 27 vjeçare e PVD dhe PDSH-së”- bërtiste me sa fuqi që kishte Shqiprim Arifi gjatë fushatës parazgjedhore, i shoqëruar me zhurmën e makinerisë me turbo-investimet e Serbisë së atyre ditëve me shtylla e kubëza betoni, e çka jo tjetër, duke i shtruar e rregulluar madje edhe oborret e shtëpive dhe duke dhënë “pare me thes” për ta blerë votën e lirë të qytetarëve.
Kështu, u harxhuan gjatë atyre ditëve mbi tre milionë euro dhe APN fitoi gjithsej 15 këshilltarë, nga 38 këshilltarë të Kuvendit Komunal të Preshevës.
Ky ishte një zhgënjim i madh për padronin e tyre, Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin, sepse dështuan në pretendimet e tyre megalomane, që sipas deklarimeve të Shqiprim Arifit, pretendonin dyfishin e atyre votave dhe një mazhorancë që do t’ia kalonte “partive të vjetra” shqiptare të kësaj komune.
Pra, “hesapi i shpisë” me atë të “çarshisë”, nuk i doli as Shqipërimit e as Aleksandrit (Vuçiqit).
Sepse, për një këshillëtar komunal të APN-së u paguan hiç më pak se 200 mijë euro!
Por ama, pushtetin lokal e mori duke e futur në Kuvend “listën serbe “Aleksandar Vuçiq” pas një dekade, kësaj radhe edhe me votën e shqiptarve.
Por, as kjo nuk i mjaftoi!
Prandaj, mbështetjen e gjetën tek fraksioni i PDSH-së së Ragmi Mustafës, tek Sami Salihu-LRPDSH, i cili për qëllime dhe ambicie të sëmura karrieriste, iu bashkëngjit kësaj mynxyre të turpëshme e antishqiptare.
Pastaj, në lojë u fut për efekte të fushatës edhe një firmë private nga Kosova, e cila kishte fituar dhe realizuar kohë më parë tendera për policinë dhe ushtrinë e Serbisë.
Kurse, gjatë fushatës u inskenua kinse “prerja e shiritit” dhe inaugurimi i kësaj fabrike në lokalet e fabrikës së dikurëshme “ÇIK”, me pajisjen komplet për prodhim, si në “bahçe të babës”.
Skenari spektakular rreth kësaj firme “patriotike” nga Kosova, që po përgatitet për tenderat e premtuar edhe për ushtrinë e Rusisë së Putinit.
Prandaj, ne preshevarët dhe kosovarët do të mburremi me çizmet, këpucët dhe me mbathjet e tjera të Policisë dhe ushtrisë së Serbisë dhe të Rusisë: “made in Kosova”, apo “made in Presheva”!
Kurse, kryetari aktual i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi është shndërruar në zëdhënës të devotshëm të Qeverisë së Serbisë dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe me shumë entuziazëm “sqaron” degradimin e shërbimeve komunale dhe transferimin e tyre menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit Komunal të Preshevës, në seancën konstituive të 19 shkurtit 2018, në Bujanoc, siç ishte rasti me Shërbimin e kadastrit dhe me Shërbimin Tatimor.
Zhurma e makinerive ndërtimore përfundoi me mbyjen e fushatës dhe mbajtjen e zgjedhjeve, por u zëvendësua me fluturimet e avionëve ushtarak që kanë krijuar atmosferë të tmerrëshme dhe trishtuese të luftës.
Natyrisht se kjo nuk i mjaftoi Shqiprim Arifit, i cili fluturimet e shpeshëta të avionëve ushtarak të Serbisë, të ulëta dhe trishtuese mbi pullazet e shtëpive, i arsyeton si “normale” dhe si stërvitje apo manovra të rregullta ushtarake, e jo si reagim nervoz e frustrues të etablishmentit aktual politik e ushtarak të Serbisë ndaj arrestimit dhe dëbimit poshtrues të Marko Gjuriqit nga Policia elitare ROSU, në Republikën e Kosovës.
Meqë Serbia nuk ka mundësi që t’i dërgoj avionët dhe ushtrinë e vet në Kosovë, ajo shfryhet në Preshevë, duke treguar fytyrën e vërtetë antishqiptare e anticivilizuese në synimin e saj për nxitjen e shpërnguljes dhe ekzodit edhe më të madh të shqiptarve dhe spastrimin etnik të Luginës së Preshevës.
Për këtë mision të saj makabër, Serbia e ka parapërgatitur terrenin politik, meqë ka Instaluar vasalët e vet në pushtetin lokal dhe për çdo veprim antishqiptar të pushtetit serb, kryetari aktual Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, si zëdhënës të Vuçiqit, dalin dhe arsyetojnë veprimet kriminale të pushtetit të Serbisë dhe akuzojnë shqiptarët.
E gjithë kjo po ndodhë në mënyrë të papenguar pikërisht në kohën kur Presidenti Vuçiq, me t’u kthyer nga takimi me Kancelaren e Gjermanisë, zonjën Angela Merkel, deklaron se “ky vit është vit i vendimeve të mëdha dhe të dhimbëshme për zgjidhjen e problemit të Kosovës”.
Prandaj, Serbia ka parapërgatitur terrenin politik në Luginë, me instalimin e vasalëve të saj besnikë e servilë në komunën e Preshevës dhe është duke investuar shuma marramendëse edhe në komunën e Bujanocit për të parapërgatitur mynxyrën finale antishqiptare e anticivilizuese në këtë pjesë të gjeografisë kombëtare të shqiptarve në Ballkanin Perëndimor.