MZhE flet për punësimin e ish-menaxherit të ‘Kosovës së Re’ në ‘Contour Global’

02.06.2018 13:25:43

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) nuk e konsideron konflikt interesi punësimin e Liridon Mavriqit, ish-menaxherit të projektit për termocentralin ‘Kosova e Re’ në kompaninë ‘Contour Global’.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Mavriqi ka qenë njeriu kryesor i projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Në përgjigjen e MZhE-së për Gazeta JnK thuhet se Liridon Mavriqi nga viti 2013 deri në vitin 2015 nuk ka qenë i punësuar në cilësinë e zyrtarit të Qeverisë së Kosovës.

“I njëjti është angazhuar në cilësinë e ofruesit të shërbimeve profesionale. Si ofrues i shërbimeve, në bazë të kontratës së lidhur, i njëjti ka ofruar këshilla profesionale nga korriku 2013 deri në korrik 2015, kur është bërë ndërprerja në baza vullnetare e kontratës”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së.

Sipas tyre shërbimet e ofruara janë rregulluar në bazë të kontratës standarde për shërbime nga operatorët ekonomikë, apo profesionistët e lirë që kontraktohen përmes procedurave dhe sipas kontratës, e cila përdoret për të gjithë ofruesit e shërbimeve, ashtu siç është aprovuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Më tej MZhE ka thënë se në kontratën e Liridon Mavriqit nuk ka pasur limite të përcaktuara për angazhimin e tij pas përfundimit të kontratës si menaxher i projektit të TC ‘Kosova e Re’.

“Me përfundimin e kontratës me ofruesin e shërbimeve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfunduar edhe detyrimet me ofruesin. Kjo kontratë për ofrimin e shërbimeve nuk përcakton ndonjë limit lidhur me angazhimet e ofruesit të shërbimeve pas periudhës së përfundimit të kontratës”, theksohet në përgjigjen e MZhE-së.

Por, MZHE-ja nuk ia ka bashkangjitur kontratës edhe aneksin në të cilin flitet për përgjegjësit e Mavriqit, përkundër pyetjeve rreth kësaj çështje të dërguara nga Gazeta JnK.

Liridon Mavriqi para se ta merrte timonin e projektit ‘Kosova e Re’, nga viti 2011 deri në vitin 2013 ka qenë këshilltar i ministrit të zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj. Pra, ka pasur pozitë politike në të njëjtën ministri ku ishte i angazhuar përmes tenderit.

Kallxo.com nuk ka marrë përgjigje kur ka kërkuar koment nga MZhE-në nëse të emëruarve politik ju lejohet të kthehen e të punojnë për kompanitë me të cilat kanë pasur negociata, procedura të tenderimit dhe janë kontraktuar nga e njëjta ministri.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek Liridon Mavriqi, tek kompania ‘Contour Global’ ku është punësuar ai dhe te Agjencia Kundër Korrupsionit për të pyetur nëse punësimi i tij është konflikt interesi. Por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.