Nagavci mohon të ketë pasur antifushatë në Gjakovë

10.01.2018 21:53:30

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lëvizje Vetëvendosje.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Nagavci, mes tjerash ka folur për dorëheqjen e Driton Çaushit nga pozita e kryetarit të Qendrës së VV-së në Gjakovë, si dhe i ka mohuar zërat se në zgjedhjet e qershorit ka pasur antifushatë në Gjakovë.

“I kuptoj dhe shqetësimet e tij në lidhje me fushatën e qershorit, më vjen keq që e ka përjetuar dhe cilësuar si të tillë. Fushatën e kuptoj si diçka të paramenduar dhe të organizuar mirë, andaj veprimet e ndonjë personi apo grupi të vogël nuk mund t’i shoh si të tilla, sado që në kohë të zgjedhjeve krijohen edhe tensione e ka indidvidë që mendojnë ndryshe”, ka thënë Nagavci.

Në letrën e dorëheqjes së deputetit, Driton Çaushi, ai shkruan se ndaj tij dhe ndaj deputetes tjetër të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka pasur një antifushatë në zgjedhjet parlamentare të qershorit nga një grup i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë.

“Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare në Qershor, kishte një antifushatë të qartë ndaj meje dhe Arbërie Nagavcit nga një grup i aktivistëve në Gjakovë. Shpifje të ulëta, fushatë denigruese brenda dhe jashtë organizatës, gjithnjë në kuadër të luftimit të armikut imagjinar. Një përvojë neveritëse dhe tepër zhgënjyese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, tha Çaushi.

Gjithashtu, Nagavaci ka dënuar grafitet kundër Çaushit, duke thënë se është akt i ulët dhe sjellje e dëmshme.

“Personalisht mendoj se Dritoni ka akoma shumë për të kontribuar. Dënoj aktin e shkrimit të grafiteve kundër tij, për këtë i kam shkruar dhe Dritonit, mendoj se është akt i ulët dhe sjellje e dëmshme. Shpresoja se ky veprim i bërë nga kushedi kush nuk mund të kthej Dritonin nga rruga që kemi marrë bashkë”, ka thënë Nagavci.

Shkrimi i plotë i Nagavcit

Në këtë kohë të zhvillimeve në vend, kur po përballemi me probleme të shumta, me institucione plotësisht të papërgjegjshme si në politikën e brendshme ashtu dhe atë ndërkombëtare, me sfida në raport me zhvillimet ekonomike, sociale e arsimore, uroj e shpresoj që Lëvizja VETËVENDOSJE! të gjej rrugën më të mirë drejt zgjidhjes së situatës së krijuar. Kemi obligim politik, moral e historik për të vënë interesat e vendit mbi ato personale e për të vazhduar rrugëtimin në realizim të përgjegjësive që kemi marrë, me besimin që na e kanë dhënë qytetarët, me bindjet tona për veprimet më të mira, me ndershmëri, sinqeritet e korrektësi.

Duke qenë punëtore e arsimit deri në vitin 2013 jam munduar që kontributin tim ta jap në fushën profesionale. Zhvillimi i ngjarjeve në vendin tonë dhe dëshira për të kontribuar në mënyrë më aktive kanë ndikuar në marrjen e vendimit për angazhim politik dhe zgjedhja ime e natyrshme ishte të jem pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duke e parë si subjektin më parimor, konsistent dhe me shumë djem e vajza që pa u kursyer janë angazhuar në betejat e përditshme për të bërë këtë vend më të mirë.

Vendimi im për angazhim politik ka qenë një ndër vendimet e mia më të vështira, por edhe ndër më të rëndësishmit.
Në Lëvizje jam njohur me shumë miq e aktivistë, kemi punuar bashkë, kam mësuar shumë gjatë gjithë kësaj kohe. Driton Çaushi është njëri ndër miqt e mi, kemi punuar bashkë në Lëvizje dhe kemi ndarë të njejtat ideale, kemi diskutuar gjatë dhe e respektoj për ndershmërinë. Besoj se ai ka pasur qëllimet më të mira. Sot lexova se Dritoni ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë dhe ajo e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm. Personalisht mendoj se Dritoni ka akoma shumë për të kontribuar. Dënoj aktin e shkrimit të grafiteve kundër tij, për këtë i kam shkruar dhe Dritonit, mendoj se është akt i ulët dhe sjellje e dëmshme. Shpresoja se ky veprim i bërë nga kushedi kush nuk mund të kthej Dritonin nga rruga që kemi marrë bashkë. I kuptoj dhe shqetësimet e tij në lidhje me fushatën e qershorit, më vjen keq që e ka përjetuar dhe cilësuar si të tillë. Fushatën e kuptoj si diçka të paramenduar dhe të organizuar mirë, andaj veprimet e ndonjë personi apo grupi të vogël nuk mund t’i shoh si të tilla, sado që në kohë të zgjedhjeve krijohen edhe tensione e ka indidvidë që mendojnë ndryshe. Unë kam qenë entuziaste që të ecim tutje dhe nuk jam ndaluar me secilin rast që ka ndodhur e që mund të mos na ketë pëlqyer.

Gjatë zgjedhjeve të qershorit, 11.489 qytetarë nga Gjakova kanë votuar për Lëvizjen VETËVENDOSJE! nga 7.314 vota që unë kam pasur në zgjedhjet parlamentare 4,660 i kam në qytetin e Gjakovës derisa Dritoni nga 10,360 vota 6,683. Për këtë kam falenderuar dhe jam mirënjohëse ndaj të gjithë qyetetarëve, ndaj aktivistëve dhe atyre që na kanë besuar e mbështetur. Besimin e tyre do të mundohem që me ndershmëri ta kthej me punë e përkushtim.
Gjatë gjithë punës e angazhimit tim jam përballur me sfida, sigurisht do vazhdoj të hasi në të tilla, kam pasur edhe mospajtime për çështje apo tema të ndryshme, por nuk kam hequr dorë nga gjërat që kam besuar. Unë kam besuar se vendimet e marra kanë qenë në të mirë të Lëvizjes dhe i kam respektuar ato. Edhe sot besoj se dallimet na japin mundësi të shqyrtojmë perspektiva të ndryshme, andaj dhe japin mundësi më të mëdha. Poashtu respektoj mendimet e vendimet e secilit, se a pajtohem apo jo është çështje tjetër dhe këtu padyshim se luajnë rol shumë faktorë përfshi kohën, arsyet, argumentet që më paraqiten, qëllimin që mendoj se do të arrihet, pasojat dhe shumë tjera.

Duke qenë se të gjithë bashkëaktivistët që deri më tani kanë dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Kryesisë ose të Këshillit të përgjithshëm, vazhdojnë të jenë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe deputet/e, unë akoma shpresoj e uroj të gjejmë gjuhën e përbashkët, pa shantazhe, pa kushtëzime, pa ofendime, pa përdorur gjuhën fyese apo intrigat, por duke respektuar dialogun konstruktiv, mendimet ndryshe dhe vullnetin e shumicës!
Sot më shumë se asnjëherë kemi nevojë të jemi të ndershëm, të përgjegjshëm e të sinqertë. Të
mos bëjmë strategji e veprime që dëmtojnë jo vetëm Lëvizjen, por të angazhohemi të jemi bashkë për të mirën e vendit!