Nait Hasani hesht për dy skandalet ku është i përfshirë dhëndrri i tij

20.02.2019 22:48:08

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme, për skandalin në të cilin është përfshirë dhëndrri i tij, të Luan Kryeziut.

Insajderi ka raportuar dje, se Radio Televizioni Publik ka shpenzuar 18 mijë euro për të blerë filmin e dhëndrit të deputetit Nait Hasani.

Ky film me regji të Luan Kryeziut, ka përfituar nga transmetuesi publik edhe një fond shtesë, edhe pse filmi veç e ka përfunduar misionin e tij.

Kjo nxitë dyshime të mëdha për keqpërdorime dhe konflikt interesi.

RTK mbikëqyret nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryetar i të cilit është Nait Hasani.

Ky përfitim i dhëndrit të tij ka ndodhur pikërisht në kohën kur Hasani ishte duke u marrë me Ligjin për Pagat që përfshinte edhe RTK-në.

Hasani shfaqje në parlament si mbrojtës i taksave të qytetarëve kur theksonte nevojë për ta shndërruar RTK-në nga mediumi publik në atë shtetërorë.

Ndërkaq në prapaskenë, pikërisht nga RTK-ja përfitoi dhëndri i ‘mbrojtësit të taksave’.

Po ashtu, Insajderi ka siguruar kontratën e bërë ndërmjet RTK-së dhe kompanisë Iliria Film e cila ndër të tjera thotë:

“Për nevojat e RTK-së pranohet oferta e kompanisë Iliria Film e cila është e pranueshme si në aspektin financiar ashtu edhe në aspektin programor”.

Kjo kontratë është nënshkruar më 24 dhjetor të vitit 2018-të ndërsa filmi ‘Heroi’, premierën e ka pasur në vitin 2014 dhe ishte përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në film portretizohet jeta e një ushtari të UÇK-së, i cili bën gjithçka për të qëndruar besnik ndaj idealeve të tij, për të jetuar një jetë të ndershme duke shpresuar për ditë më të mira. Krenaria dhe dinjiteti kthehen kundër tij, kur shoqëria nuk ka më nevojë për të.

Rregjisori i cili në krijimtarinë e tij e ka të suksesshëm vetëm filmin “Heroi”, përfitoi në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria e Kosovës, 180 mijë euro për realizimin e filmit “Lojë jete”, shkruan Insajderi.

Regjisori Luan Kryeziu njëherësh edhe dhëndër i deputetit Nait Hasani, ka arritur ta ‘bind’ Qeverinë e Kosovës, për subvencionimin e këtij projekti i cili është prezantuar si bashkëprodhim në mes Kosovës dhe SHBA-së.

Në mbledhjen e 13 shkurtit, kryeministri Ramush Haradinaj ia kërkoi zv.ministres së Kulturës Leonora Morina-Bunjakut prezantimin e kërkesës për subvencionim të këtij filmi. Morina-Bunjaku, dukej se nuk e kishte idenë për çka bëhet fjalë, duke qenë se nuk ishte në dijeni as për shumën e filmit.

Derisa zëvendës-ministrja nuk e dinte shumën, kryeministri ishte zënë nga kamerat duke diskutuar me pjesëtarët e stafit të tij, ndërsa pas pak ai edhe e kumtoi shumën.

“Në materialet që kemi para vetes, ‘Iliria Film’ ka parashtruar kërkesë në Ministrinë  e Kulturës. Bëhet fjalë për realizimin e filmit artistik ‘Lojë Jete’, koproduksion Kosovë- SHBA. Bazuar në kërkesën e lartcekur janë kërkuar mjete financiare në vlerë 180 mijë euro. Pra nga kategoria e shpenzimeve rezervë”, kishte thënë Haradinaj.

Ky propozim, u përkrah nga të gjithë anëtarët e kabinetit.

Subvencionimi i këtij filmi bie ndesh me Ligjin për Kinematografinë e Kosovës, sipas të cilit është Qendra Kinematografike e Kosovës ajo që i vlerëson projektet dhe vendos për subvencionimin e filmave me mjetet që ndahen nga shteti për këtë fushë, e jo Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Projekti filmik “Lojë jete”, me skenar dhe regji nga Luan Kryeziu ka për temë gratë e dhunuara.

Dy këto skandale të dhëndrrit të tij, nuk e kanë shtyrë deputetin, Nait Hasani, që të flas asnjë fjalë lidhur me këtë rast.

Ndërkaq, Luan Kryeziu është shndërruar në figure komike duke përmendur që mbi pesë vite realizimin e një filmi për Adem Jasharin, por që asnjëherë nuk ka arritur ta bëjë.

Marsin e vitit të kaluar regjisori Luan Kryeziu, bëri bujë nëpër mediat vendore me deklaratën e tij për filmin me Adem Jasharin. Ai pati deklaruar se aktori serb Rade Šerbedžija, ka kërkuar ta luajë rolin e Heroit Kombëtar por që Kryeziu nuk e ka pranuar. Këto deklarata u hodhën poshtë nga aktori Šerbedžija, i cili pati  thënë se ai asnjëherë nuk është ofruar për këtë rol dhe se Kryeziu ka gënjyer vetëm për të tërhequr vëmendjen kah projekti i tij.