Nait Hasani, ushtri pa SHBA-të dhe NATO-n, por me Serbinë e Vuçiqin veç spiunët bëjnë

17.03.2017 22:31:18

Nga Rexhep Kastrati

As vetë Hashim Thaçi nuk ka folur ndonjë herë për nismën e tij ligjore për FSK-në më me zjarr sesa që ka folur sot Nait Hasani. Në një intervistë të shkurtër për borinë propagandistike të PDK-së, Nait Hasani e vlerësoi tepër shumë këtë nismë dhe përcolli mesazhe se qëllimi i tij, pra edhe i Hashim Thaçit dhe i PDK-së është që të vëjnë SHBA-të dhe NATO-n para aktit të kryer dhe të mos përfillin fare gjithë qëndrimet e qarta që kanë shprehur ato. Me këtë, Naiti ka zbuluar se kjo nismë ligjore është nisur që në fillim me idenë për të mos u bashkërenduar me SHBA-të dhe me NATO-n, pra me logjikën: ne e bëjmë tonën – bëni ju në paçit çka me bë!

Dhe derisa me SHBA-të dhe NATO-n ndiqet logjika e aktit të kryer, nuk ka ndodhur kështu me Serbinë dhe me Vuçiqin. Hashim Thaçi ka punuar mbrapa krahëve të institucioneve të shtetit të Kosovës, mbrapa krahëve të SHBA-ve dhe NATO-s, por jo mbrapa krahëve të Serbisë dhe të institucioneve shtetërore. Hashim Thaçi nuk është konsultuar me kryeministrin Mustafa, por është konsultuar me kryeministrin e Serbisë. Hashim Thaçi nuk e ka bashkërenduar nismën e tij me institucionet e Kosovës dhe me SHBA-të e NATO-n, por e ka bashkërenduar me Serbinë dhe Vuçiqin. Prandaj nisma e këtillë ligjore nuk ka të bëjë me ushtrinë e Kosovës, por ka të bëjë me krijimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Është kështu për faktin se serbët ka vite që kërkojnë batalion të veçantë të tyre, dhe kjo nismë e mundëson këtë.

Në anën tjetër, nisma e Hashim Thaçit e vë në sprovë sigurinë e Kosovës, sepse NATO ka deklaruar se e mbështet FSK-në vetëm në mandatin kushtetues, pra në mandatin aktual, e jo në një mandat që mund të jepet me këtë nismë ligjore. Dhe kjo do të thotë se NATO mund të ndryshojë qasjen ndaj sigurisë në Kosovë, e që hap rrugë për skenar ukrainas në Kosovë. Së këndejmi, Hashim Thaçi, PDK dhe në përgjithësi linja e Tiranës/Kretës, e dalë pas takimit Nano-Milosheviq në Kretë, duan të çojnë përpara misionin e filluar më 1997, e që i parapriu eliminimi i kamandantëve të dy grupeve guerile: të LLapit – Zahir Pajazitin, e bashkë me të edhe Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun, dhe komandantin e grupit të Drenicës, Adem Jasharin me familje, si dhe vrasjen e Ali Ukajt në Tiranë. Dhe kjo histori eliminimesh që lidhet edhe me emrin e Nait Hasanit, është historia e maktheve, e jo histori e lavdisë, është historia e tradhtisë dhe e depërtimit të një formacioni spiunësh në krye të UÇK-së, e që është histori eliminimesh më zi sesa nga Enver Hoxha: nuk u vranë veç njerëz të linjës institucionaliste të presidentit Rugova, por edhe njerëz të Ilegales, por që nuk ishin të shitur.

Vrasja e Hyzri Tallës, e Afrim Maliqit, e Ilir Durmishit, ishte vrasja më e rëndë pas vrasjes së Zahir Pajazitit, të Edmond Hoxhës, të Hakif Zejnullahut, të Adem Jasharit me familje. Kush i tradhtoi ata? Kush u dha forcave serbe informacione se për ku ishin nisur dhe kur ishin nisur? A u kish rënë në dorë Afrim Maliqit, Hyzri Tallës dhe Ilir Dyrmishit lista për likuidimin e personaliteteve kryesore politike dhe jo vetëm politike në Kosovë, në krye me presidentin Rugova, e që më vonë do të bëhet publike? Po Ilir Konushevcin dhe Hafir Shalën kush i vrau dhe pse? A ka qenë vetëm çështje parash, apo edhe çështje e eliminimit të jospiunëve nga spiunët? Po Mirush Dakajn “Korbin” kush e vrau dhe pse? A e vranë vetëm pse ishte trim, autoritativ dhe kishte popullin e Llapushës me vete dhe kështu ishte bërë pengesë për depërtimin e spiunëve të Serbisë? Natyrisht ka shumë të tillë që janë eliminuar vetëm pse kanë qenë persona me autoritet, trima dhe të pashitshëm. Dhe kjo është historia  e maktheve, e jo e lavdisë! Është historia e tradhtive, e vrasjeve dhe krimeve të tjera, e jo historia heroike. Dhe të tillë e donte Serbia, dhe kështu ishin marrë vesh Nano – Milosheviq në Kretë.

Dhe për të gjitha këto, është e vërtetë se nuk ka pasur bashkërendim me SHBA-të dhe me NATO-n, prandaj edhe në fund Kosova nuk u çlirua plotësisht, por u nda mbi baza etnike, u enklavizua, por edhe u pushtua nga spiunët dhe kriminelët e luftës që kanë vrarë shokët e tyre dhe kundërshtarët politikë, pasojat e të cilave po i vuan Kosova edhe sot e gjithë ditën. Dhe një nga pasojat është pikërisht fuqizimi, legjitimimi dhe legalizimi i ndarjes etnike të Kosovës, i subjektivizimit të serbëve si faktor pengues dhe i rikthimit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet marrëveshjeve të fshehte dhe të hapura. Dhe të gjitha këto nuk i ka bërë LDK, as linja institucionaliste në përgjithësi, por i bënë spiunët dhe argatët e Serbisë dhe të Rusisë. Dhe janë po këta argatë të Serbisë dhe të Rusisë që po duan ta çojnë deri në fund misionin që kanë: ndarjen e Kosovës. Dhe për të bërë këtë nuk u duhet bashkërendimi me SHBA-të dhe NATO-n, por u duhet bashkërendimi me Serbinë dhe Rusinë. Prandaj, këmbëngulin që nisma që kundërshtohen hapur dhe pa dorëza nga SHBAtë dhe NATO, duke bërë të qartë edhe rishikimin e pozicionit të tyre në raport me mandatin që do të ketë FSK.

Ky mandat nuk mund të jetë në interes të Kosovës, por në interes të Serbisë, sepse është mandat që nuk ka të bëjë fare me vazhdimësinë e procesit të përbashkët me SHBA-të dhe me NATO-n, por është mandat në bazë të pazareve të Hashim Thaçit me Vuçiqin. Dhe me Vuçqin nuk bëhet ushtri e Kosovës, por prishet gjithë ajo që është arritur deri më tash që nga themelimi i TMK-së, shndërrrimi i saj në FSK e deri më sot.

Prandaj, Kosova ka nevojë për një ushtri që bëhet në bashkërendim me SHBA-të, me NATO-n dhe me aleatët tjerë strategjikë, sepse me ta ushtria e Kosovës bëhet e aftë dhe e fuqishme për të qenë anëtare e NATO-s. Si mund të pretendohet anëatarësimi i Kosovës në NATO nëse ajo nuk e mbështet FSK-në mandatin tjetër? Si mund të konsolidohet dhe të profesionalizohet pa mbështetjen e SHBA-ve dhe NATO-s?