Napoli ndaj Spalit për të ruajtur kreun, Milani për vazhdimësinë kundër Sampit

18.02.2018 11:17:12

Në Itali, Napoli do të bëjë gjithçka për të ruajtur kryesimin, teksa pret në San Paolo ekipin e Spalit, që nuk njeh ende fitore gjatë vitit 2018.

Sarri është ankuar për kohën e shkurtër që ka në dispozicion skuadra për t’u shplodhur nga impenjimi me Lajpcigun, por gjithsesi tani 59-vjeçari napolitan po fillon të vuajë pasojat e besimit të tepruar që ka treguar gjatë gjithë kësaj kohe pikërisht te një grup i reduktuar futbollistësh.

Po në orën 15:00 do të luhet edhe takimi Benevento – Crotone, ndërsa me shumë interes pritet gjithashtu edhe dueli i orës 18:00 Atalanta – Fiorentina, ndërkaq ndeshja e mbrëmjes rikthen rivalitetin ndërmjet Milanit dhe Sampdorias, dy skuadra që paraqiten në Stadiumin Meazza pas një ecurie të gjatë pozitive, falë së cilës këto ekipe tashmë kanë rritur ndjeshëm pretendimet.