Napoli përmbys Lacion dhe rimerr kryesimin

11.02.2018 00:30:12

Lacio nuk i bën dot ballë furisë së Napolit në “San Paolo”, edhe pse dha përshtypjen që mund t’i befasonte kryesuesit e Serisë A, duke kaluar e para në epërsi me Stefan de Vrij që në minutën e 3-të.

Bardhekaltrit, me Strakoshën titullar në portë, mundën të rezistonin thuajse gjatë gjithë pjesës së parë, por pak para se gjyqtari t’i drejtonte skuadrat drejt dhomave të zhveshjes Callejon, i shërbyer nga Jorginho, e pati të lehtë për të mposhtur portierin shqiptar, që nuk mund të bënte asgjë në këtë rast.
Lacio ishte e pafat në pjesën e dytë, kur Wallace devijoi drejt portës së tij për golin e 2-1.

Zielinski, i ndihmuar edhe nga devijimi i lehtë i një mbrojtëse e detyroi Strakoshën ta nxirrte për herë të tretë topin nga rrjeta, ndërsa Mertens, i vetëm përballë shqiptarit e dërgoi me zgjuarsi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 4-1.

Me këtë sukses Napoli i rimerr Juventusit vendin e parë, ndërsa Lazio pësoi humbjen e tretë radhazi në Serinë A dhe mund të parakalohet nga Interi që ka një pikë më pak, por që luan me Bolognan në “San Siro”.