Nasho Jorgaqi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

26.10.2016 15:16:11

Biografi më i shquar i Fan Nolit, profesor Nasho Jorgaqi, është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti “Fan Noli” i Korçës. Medaljen e artë dhe diplomën e motivacionit ia dorëzoi atij rektori i këtij universiteti, profesor Ali Jashari.

Universiteti “Fan.S.Noli” Korçë, me vendimin nr.20, datë 6 korrik 2016 të Senatit Akademik, si dhe me pëlqimin e komisionit të vlerësimit të titujve akademikë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të shprehur në vendimin nr.54, datë 27.06.2016, i jep titullin e nderit zotit Nasho Jorgaqi, “Doctor Honoris Causa” me motivacionin:

“Personalitet i letrave shqipe, Profesor i shquar i letërsisë, shkrimtar, publicist e përkthyes, autor i shumë veprave shkencore dhe teksteve universitare, që ka dhënë ndihmesa të vyera në përgatitjen e mësuesve dhe studiuesve të letërsisë shqipe. Biografi më i shquar i Fan Nolit. Për bashkëpunimin e frytshëm për shumë vite me universitetin ‘Fan. S.Noli’ të Korçës në fushën e veprimtarive shkencore dhe botuese”.

Nasho Jorgaqi është ndër emrat më të nderuar të shkencës letrare shqiptare, ndërkohë që ky vlerësim vjen në prag të 85-vjetorit të lindjes së tij. Është ndier mirë profesor Jorgaqi që ky universitet ia akordoi këtë titull honorifik për punën e bërë jo vetëm në fushën studimore, atë kërkimore shkencore, por edhe letrare.

Në fjalën e tij Nasho Jorgaqi tha që universitetin e Korçës ta ktheni në një vatër noliane, një qendër studimore të jetës dhe trashëgimisë së Nolit. Sugjerimin ai ia bëri senatit dhe rektoratit të këtij universiteti.

“Të jetë ky një sektor i shkencës brenda universitetit, si në shumë universitete të botës. Si fillim duhet nisur me një bibliotekë të veçantë të veprave të Nolit dhe studimeve mbi të, me sigurimin e shtypit që themeloi e drejtoi ose ku punoi Noli, me një bibliografi të trashëgimisë së tij ose të të tjerëve mbi të. Akoma më e rëndësishme është krijimi i arkivit të tij me dokumente që pasqyrojnë jetën, veprimtarinë e gjithanshme të krijimtarisë letrare, shkencore epistolare etj. Po kështu të ngrihet një fototekë e jetës së tij në të gjitha etapat dhe aspektet social-politike, laike dhe fetare të organizohen ekspedita kërkimore brenda dhe jashtë vendit për të zbuluar vlera të panjohura të Nolit.

Të shihet mundësia e ngritjes e një muzeu me objekte e relikte të tij. Për këtë të merren kontakte me trashëgimtarët dhe bashkëfshatarët e tij që ndodhen në Greqi, por nuk duhet lënë mënjanë ndihma që mund të japë Kisha Shqiptare e Bostonit dhe Federata ‘Vatra’. Të jepet një çmim vjetor për punimet e dalluara studimore të studentëve ose dhe më gjerë për ta, siç të shihet mundësia për një burse në emrin e tij për studentin më ekselent. Qendra fanoliane të mbajë lidhje me studiues të Fan Nolit, t’i thërrasë ata për të kumtuar në auditorët e universitetit për veprat dhe kërkimet e tyre”.

Gjithashtu, zoti Jorgaqi tha se e konsideron veten tani e tutje pjesëtar të familjes noliane në universitetin e Korçës. Ai merr përsipër t’i dhurojë këtij universiteti pjesën më të madhe të arkivit personal me dokumente e materiale për Fan Nolin, i bindur se ato do të ruhen dhe mirëmbahen mirë.

Në këtë aktivitet nderimi e morën fjalën rektori i universitetit profesor Ali Jashari, akademik Vaso Tole, studiuesja e letërsisë dhe shefja e katedrës së letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Filologjik, prof.as.dr.Lili Sula dhe pedagogë të Korçës. Të gjithë vlerësuan figurën kërkimore dhe shkencore në vite të profesor Nasho Jorgaqit.