Nataliya Apostolova dënon kërcënimin fizik ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani

Nataliya Apostolova dënon kërcënimin fizik ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani

11.07.2020 15:45:05

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Apostolova tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.

“Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë punë konstruktive që të ballafaqohet me sfidat që ka përpara. Të gjithë duhet të përkushtohen për consensus politik dhe të përmbahen nga dhuna që nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e sidomos në kuvend dhe ndaj gruas – kryeparlamentares”, tha ajo.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka paraqitur rastin në polici.

Incidentin e kanë dënuar edhe përfaqësues politikë e organizata joqeveritare në Kosovë.