Nataliya Apostolova: Interesat e një partie të vogël po bllokojnë liberalizimin

25.01.2018 22:54:11

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka ripërsëritur kushtet që Kosova duhet t’i plotësojë urgjentisht për të marrë liberalizimin e vizave.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Apostolova ritheksoi se kushtëzimi i liberalizimit me ratifikimin e demarkacionit qëndron dhe se politikanët nuk duhet të mbajnë peng rininë me vendime politike.

“Kjo është shumë e qartë, mesazhi është përcjellë, tani e ka në dorë Kuvendi. Dhe këtu, më lejoni t’u bëj thirrje politikanëve përsëri që me të vërtetë të mendojnë dy herë nëse me të vërtetë duan që ta mbajnë peng rininë, qytetarët e zakonshëm që duan të udhëtojnë dhe të vizitojnë familjarët e tyre, që të kenë qasje në trashëgiminë kulturore në Evropë, vetëm për shkak të interesave individuale të një partie të vogël politike, që aktualisht po e pengojnë aktualisht votimin në Parlament”, tha Apostolova.

Ajo po ashtu ka thënë se arritjet e Kosovës në procesin integrues në BE janë inkurajese por pritet veprim në kushtet e fundit për liberalizim.