NATO: “Institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara që të informojnë KFOR-in për të vendosur ROSU në veri të Kosovës”

16.01.2017 23:31:30

Nga Selia e NATO-s në Bruksel kanë thënë se KFOR-i nuk ishte informuar për praninë e forcave speciale ROSU të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, të shtunën, më 14 janar 2017.

Kjo deklaratë e NATO-s vjen si përgjigje në një pyetje nga agjencia serebe Tanjug, nëse forcat speciale të policisë së Kosovës ROSU, kishin miratimin e KFOR-it për të ndërhyrë në veri të Kosovës për të ndaluar trenin i cili të shtunën shkoi nga Beogradi në Mitrovicë, përcjell Telegrafi.

“KFOR-i nuk ka qenë i informuar për praninë e policisë së Kosovës ROSU në veri. Në pajtim me marrëveshjet aktuale dhe mandatin e KFOR-it (që dalin nga Rezoluta 1244 e OKB-së të vitit 1999), institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara që të informojnë KFOR-in për të vendosur ROSU në veri të Kosovës”, tha për Tanjug zyrtari NATO-s nga selia e Aleancës Veriatlantike në Bruksel.