Nba, shkëlqejnë Golden State e Cleveland

19.11.2016 14:47:57

Shumë ndeshje dhe plot emocione në mbrëmjen e NBA-it amerikan. Dy skuadrat protagoniste të sezonit të kaluar, Cleveland dhe Golden State regjistruan fitore të lehta.Cavaliers shpartalluan Detroit me shifrat e thella 104-81, pavarësisht se LeBron nuk ishte një formën më të mirë. King James realizoi vetëm 21 pikë, ndërsa qëndroi në fushë vetëm për 28 minuta, ndërsa Kyrie Irving realizoi 25 pikë në total. Fitore me shifra thuajse të njëjta edhe për Warriors, që kaluan me rezultatin 104-88 në Boston. Larg nivelit të pritur edhe Steph Curry, që realizoi vetëm 16 pikë, ndërsa skuadra u udhëhoq nga Klay Thompson dhe Kevin Durant. Ky i fundit realizoi 23 pikë dhe regjistroi 10 rikuperime nën tabelë, ndërsa Thompson e mbylli sfidën në kuotën e 28 pikëve. Kjo ishte fitorja e dhjetë sezonale e Golden State.

Zhgënjen Denveri, me Nuggets që u mposhtën 111-113 vetëm pas kohës shtesë nga Raptors. Te ekipi nga Toronto shkëlqeu DeMar DeRozan i cili e mbylli sfidën në kuotën e 30 pikëve. Te suksesi u rikthye Charlotte Hornets që fitoi me vështirësi 100-96 përballë Atlanta-s.

Konferenca e Perëndimit kryesohet nga Los Angeles Clippers, që fitoi edhe në fushën e Sacramento-s 121-115. Blake Griffin mbetet lojtari më i spikatur te kalifornianët, i mbështetur edhe nga DeAndre Jordan.

Asnjë problem për Thunder, që fituan 124-105 përballë Brooklyn Nets. Njeriu i sfidës ishte Russel Westbrook, autor i 30 pikëve, 13 asistve dhe 11 topave të rikuperuar nën tabelë. Në fund, San Antonio Spurs triumfuan 116-107 përballë Los Angeles Lakers, ku spikati Kaëhi Leonard me 23 pikë dhe 7 asist.