Ndahen bursa për nxënës dhe studentë të komunitetit RAI

17.01.2017 12:56:54

Ministria e Arsimit ka bërë ndarjen simbolike të bursave për 500 nxënës të komuniteteve rom,ashkali dhe egjiptian dhe 50 për studentë të të gjitha komuniteteve , projekt ky që po implementohet disa vite radhazi nga MAShT-i në bashkëpunim me donatorët .

Ministri Bajrami me këtë rast tha se ndjehet mirë që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me organizatat partnere sot po bën ndarjen e bursave për 500 nxënës të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe 50 bursave për studentët e të gjitha komuniteteve.

“Me këtë ne po krijojmë mundësi që të rinjtë e këtyre komuniteteve të arsimohen dhe edukohen, të ndërtojnë karrierë profesionale dhe të krijojnë perspektivë për jetën e tyre në të ardhmen “ tha ministri Bajrami.

Libor Chlad, nga Zyra e Bashkimit Evropian , ndër tjera tha se është jashtëzakonisht me rëndësi që të ofrohet  mundësi për arsimimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe se në këtë aspekt  Ministria e Arsimit do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe Patrick Etienne, nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, si dhe përfaqësuesi i Roma Education Fund  Erxhan Galushi, që njëherësh janë donatorë të projektit të bursave.

Projekti për ndarjen e bursave , nxënësve dhe studentëve të komuniteteve , zyrtarisht ka filluar të implementohet më 1 Prill 2016, si rezultat i fondeve të IPA II 2014, dhe do të zgjasë për tri vjet.