Ndarja e Kosovës, Petrit Vasili – Thaçit: Kufijtë janë mirë, duhet t’i mbrojmë!

05.08.2018 18:06:11

Në debatin e nxehtë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, ide e cila po mbrohet fortë nga Presidenti Hashim Thaçi, që kërkon bashkimin  me trojet e Luginës së Preshevës, është përfshirë sot edhe kreu i Grupit të LSI, Petrit Vasili.

Pas debatit të ashpër Thaçi-Berisha, Vasili shkruan në Facebook se “kufijtë janë në rregull”.

“Kufijtë janë në rregull ndërsa ekonomia jo, ndërsa “hallet” e vetes të mos i bëjmë të shqiptarëve. Kufijtë janë në rregull. Luftëra të mëdha kanë përcaktuar fituesit dhe humbësit, kanë përcaktuar dhe kufijtë e fituar, kanë përcaktuar dhe shqiptarët si fitues. Dhe fituesi duhet të sillet si fitues e kundërta është faj”, thotë Vasili si përgjigje ndaj refuzimit të këshillave nga Shqipëria, që Thaçi bëri ditën e djeshme.

Sipas kreut të Grupit të LSI problemi nuk janë kufijtë, por në të dy anët e kufirit është ekonomia e dobët dhe armik është ai që i lë shqiptarët të varfër.

“Ekonomia nuk është në rregull as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Është në krizë ekonomia. Eshtë i madh korrupsioni. Pastrohen edhe para të pista shumë bile. Shqiptarët këndej dhe andej kufirit presin ekonomi shumë herë më të mirë dhe më të fortë. Kush i lë shqiptarët të varfër është armik i tyre. Sa për kufijtë ata mirë janë, na duhet vetëm që t’i mbrojmë si duhet. “Hallet” e vetes të mos i bëjmë halle të shqiptarëve”, shkruan më tej Vasili.