Ndarja në blloqe e Listave zgjedhore në Preshevë

12.12.2017 08:24:02

Kanë mbetur më pak se dy javë deri te zgjedhjet e parakohshme në Preshevë, të cilat do të mbahen, më 24 dhjetor të këtij viti.

Nga Sevdail Hyseni

Ndonëse subjektet politike shqiptare në Preshevë, nuk kanë vepruar si ato serbe të grumbullohen rreth një Liste zgjedhore, ato në fakt me tetë Lista, nuk paraqesin edhe gjithaq qëndrime diametralisht të kundërta.
Sa më shumë po afrohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Preshevë, aq më shumë po bëhet përafrimi i Listave zgjedhore shqiptare, të ndara në dy blloqe, të cilat do t’i prijnë koalicioneve të mundshme paszgjedhore për qeverisjen e vendit.

Pozicionimi

Bllokun e parë të partive shqiptare e përbëjnë ato subjekte, të cilat prej vitesh kanë qeverisur me pushtetin lokal, kanë qenë pjesëmarrëse aktive në zgjedhjet parlamentare e nacionale, si dhe kanë organizuar Referendumin popullor të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, kanë nxjerrë platforma e deklarata politike dhe kanë qenë pjesë të pandara të të gjitha procese politike e shoqërore në vend, duke treguar me fanatizëm një organizim të pavarur politik në Preshevë dhe rrethinë.
Subjektet e bllokut të parë si: Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës, Bashkimi Demokratik i Luginës i Skender Destanit, Unioni Demokratik Shqiptar i Rahmi Zylfiut dhe Rilindja Demokratike e Ramiz Latifit, janë parti të forta, të organizuara mirë, me një përvojë të gjatë në fushën e qeverisjes jo vetëm lokale si dhe me një vjetërsi dhe shtrirje partiake më të madhe se partitë e bllokut tjetër.
Blloku i dytë i subjekteve politike në Preshevë si: Alternativa për Ndryshim e udhëhequr nga Shqipërim Arifi, Lëvizja për Reforma PDSH e Sami Salihut, Partia Demokratike e Xhelal Mehmetit dhe Lista serbe, janë parti kryesisht të reja ose të ndara nga partitë e mëdha politike, të cilat pretendojnë të ngriten në pushtet, duke i “pensionuar liderët tradicionalë”, “patriotët sezonalë” të bllokut të parë, e që kanë mbështetjen pa rezervë të Beogradit, për ta bërë multietnik Kuvendin e Preshevës, ashtu siç është ai i Bujanocit dhe Medvegjës.
Këto dy blloqe të Listave zgjedhore në Preshevë, janë vënë në kërkim të votës së qytetarëve, duke mos kursyer mjete e metoda për të ardhur në pushtet.
Gjatë fushatës zgjedhore e cila vazhdon me një spektakël dhe pompozitet të paparë, më shumë vihen në spikamë kritikat dhe akuzat mes partive se sa shpalosja e programit zgjedhor për qytetarët, të cilët pastaj të zgjedhin se cilën Listë ta votojnë, për ta pasur një pushtet sa më afër tyre.

Praktika

Përvoja e deritashme e hidhur e ecurisë së punës në Kuvendin komunal të Preshevës, ka treguar se ngërçet politike në këtë organ legjislativ, e kanë sjellë atë jo rrallë para bllokadës dhe shpartallimit, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, siç janë këto të fundit, të 24 dhjetorit të vitit 2017.
Përçarjet, inatet, shantazhet, obstrukcionet, orkestrimet nga lartë, gjithashtu, janë dëshmi se qeverisja lokale e viteve të fundit në Preshevë, nuk ka pasur ditë të bardha dhe se është lodhur nga ndasitë partiake, të cilat jo vetëm se kanë bllokuar proceset politike në vend, por edhe kanë braktisur donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë, duke e kthyer Preshevën në një ambient jo të volitshëm për investime.
Duke i marrë të gjitha këto parasysh, spektri politik preshevar e veçmas elektorati i tij, tashmë, e ka kuptuar se Parlamentit lokal i duhet një bllok partish të forta, stabile dhe përgjegjëse për funksionimin e organit më të lartë të pushtetit vendor, pa të cilin nuk ka zhvillim e përparim shoqëror e kombëtar.

Vizioni

Blloku i parë i partive politike e ka shansin me këtë radhitje për t’ia kthyer Preshevës dinjitetin qytetar e kombëtar, për t’ia kthyer buzëqeshjen e ngrirë në këtë “dhjetor të shqetësuar” për fatet e nëpërkëmbura të vendit nga qarqe të ndryshme serbo-shqiptare, për ta parë këtë komunë shqiptare të katandisur politikisht dhe të rraskapitur ekonomikisht.
Blloku i partive të para preshevare, duhet t’i lënë anash inatet, përçarjet, shantazhet e sherret e dikurshme, të pozicionohen një herë e mirë për ta formuar një koalicion të mirëfilltë paszgjedhor, në mënyrë që “Presheva jonë”, të bëhet një shembull i unitetit ndërpartiak dhe një model i përkryer i qeverisjes së mirë lokale.
Po qe se arrin ky Bllok i partive ta siguroj shumicën e këshilltarëve në Kuvendin komunal të Preshevës, pas zgjedhjeve të 24 dhjetorit, gjërat në këtë komunë dhe më gjerë në Luginë të Preshevës, do të lëvizin për së mbari, meqë në prag i kemi edhe zgjedhjet nacionale dhe ato për reformimin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.