NDARJE, KËMBIM, BASHKIM, APO KORRIGJIM KUFIJSH?!

28.08.2018 09:08:35

Nga: Nexhmedin Saqipi

(Ky opinion ripublikohet me një plotësim pas 8 vitesh)

Kohëve të fundit, në rajonin e Kosovës Lindore, po qarkullojnë disa opsione, të cilat vijnë si rezultat i lëkundjeve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fjalorin politik të këtyre dy qendrave të vendosjes, gjithnjë po ngrihen zëra kundërshtues, duke nxjerrë në sipërfaqe opsione që dikur ishin në modë, kurse tashti ato lëre që kanë demoduar, por edhe mund të nxjerrin problemë të reja të ndjeshme dhe të paparashikueshme.
Të kthehemi jo më larg se para 18 vjetësh, Dr. Ibrahim Rugova në konferencat e tij të zakonshme pati deklaruar se nuk ka ndarje të Kosovës, por mund të ketë shkëmbim territoresh, aludonte në veriun e Kosovës me Jugun e Serbisë. Atëherë çka u deshtë lufta, gjenocidi, spastrimet etnike për t’u kthyer prapa e për të biseduar rreth këtyre opsioneve kur është dashur në fillim të zgjidhen këto çështje. Po ne veprojmë siç veprojmë pas tërmetit, për t’ia matur shkallën e Rihterit dhe pasojat.
Po shqiptarët e Kosovës Lindore a duhet të rrinë duarkryq nga këto që po ndodhin rreth saj? Sigurisht se jo. Është e udhës dhe e drejtë të dinë se si do të jetë fati i tyre politik në të ardhmen, në çfarë bashkësie do të jetojnë dhe cili do të jetë statusi i tyre politik.
Sindromi i ndarjes
Ndarja si opsion është kundërproduktiv, po ashtu është i dëmshëm edhe shkëmbimi i territoreve. Kështu thonë gjithë ata që i japin të drejtë vetes për të diskutuar rreth këtyre çështjeve. Po gjërat nuk po shkojnë në një vijë. Njerëzit e zakonshëm e preferojnë bashkimin. Pse mos t’i bashkohet Kosova Lindore krahut lindor të saj.
U bë Referendumi, lufta, si dhe u nxorën shumë Marrëveshje dhe u firmosën shumë platforma. Në përkrahje gjenden edhe dëshmitë historike të cilat nuk guxon të injorohen. Nuk guxon të injorohet vullneti i popullit i shprehur me referendum. Nuk duhet të injorohet vullneti i trimave të lirisë, të cilët e bënë një luftë dhe e arritën një marrëveshje paqësore, nuk guxon të injorohet vullneti i krerëve institucionalë të shqiptarëve të Kosovës Lindore, të cilët nxorën disa platforma dhe morën vendime në të mirë të zgjidhjes së problemeve.
Po si të ndahen përsëri tokat shqiptare. Merreni me mend askund në botë nuk ka kufij mes një populli sa ka kufij mes shqiptarëve në Ballkan. Të ndahen tokat shqiptare edhe njëherë me kufij, absurd i absurdit. Po edhe shkëmbimi i territoreve. Jep një territor në veri në kompensim të një territori në jug, që të dy me shqiptarë historikisht. Jo ndarje, jo shkëmbim, por bashkim. Të bashkohen shqiptarët njëherë, në një Evropë të bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë do të zgjidhen drejt e qëndrueshëm problemet e shqiptarëve në Ballkan.
Kërcënimet
Loja mes opsionesh ka vënë në lëvizje dhe reagimet e qarqeve të ndryshme në këto hapësira. Zyrtarët shqiptarë nga Prishtina kërkojnë realizmin e Kushtetutës dhe shtrirjen e pushtetit në gjithë vendin, që nga veriu deri në jug. Por ata kanë disa pengesa. Veriu i Kosovës nuk e njeh shtetin ku shtrihet, nuk i përfill vendimet e tij, injoron edhe ligjet ndërkombëtare. Beogradi mbështet veriun e Kosovës dhe kërcënon nëse institucionet shqiptare shtrihen në çdo cep të saj. Merre me mend Tadiqi ndaj deklaratave të Bajram Rexhepit, ministër i Punëve të Brendshme, se nuk do të rrinë duarkryq nëse ndodh një iniciativë e tillë. Mu tamam si në fabul kur ujku e kërcënonte qengjin se nga poshtë ia turbullonte ujin!
Presidenti i Serbisë deklaratën e Bajramit e konsideron kërcënim, kurse vet Kosovën Lindore e ka shndërruar në një karantinë ushtarake. Brezi kufitar me Kosovën është i stërngarkuar me policë, xhandarë dhe ushtarë. Këto forca jo vetëm që paraqesin pengesë për qarkullim të lirë të njerëzve, por edhe një kërcënim permanent për paqen në rajon. Kërcënimet nuk çojnë askund veç në destabilitet. Gjuha e dialogut duhet ngadhënjejë në vend të kërcënimeve, të cilat nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetin ndërrajonal. Evropa nuk na do me probleme.
Ngërçi politik
Derisa opsionet po lëvizin lirshëm në këtë rajon, ngërçi politik ka paralizuar disa aktivitete, të cilat do ta aktualizonin problemin e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Subjektet politike shqiptarëve grinden rreth pushteteve lokale dhe u ikin ato kapitale për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Nuk duhet harxhuar energji se kush po vjen në pushtet, por për të punuar rreth zgjidhjes së qëndrueshme të problemeve të kahershme të shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Në vend të një uniteti politik të faktorit shqiptar, ngërçi politik ka bllokuar shumë iniciativa të cilat do të qonin në realizimin e një Autonomie politiko-territoriale për shqiptarët, i dalë nga referendum i 1 dhe 2 Marsit 1992.
Si do që të jetë shqiptarët duhet të jenë si një grusht i vetëm për të përballuar stuhitë që vijnë nga Beogradi për t’i përçarë ata.
Korrigjimi si shpëtim
8 vjet më vonë, vjen ideja e korrigjimit të kufijve nga presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili do ta shtroj në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, në vjeshtën e këtij viti.
Ndonëse propozimi i presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh me të cilin parasheh bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, nuk po pritet mirë nga disa qarqe politike në Prishtinë, tjetër opsion më serioz për momentin nuk ka, e që ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve në aspektin pozitiv.
Kur themi kështu kemi parasysh se opsionet e tjera për ndarje, shkëmbim, reciprocitet etj, janë të stilit si “lojërat pa kufij”, po del se ideja e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh është më i kapshëm dhe më i arsyeshëm për një proces final të bisedimeve shqiptaro-serbe në Bruksel.
Presidenti Hashim Thaçi, sipas Nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës përfaqëson Republikën e Kosovës në bisedimet e Brukselit, duke tejkaluar kompetencat për ta shtruar çështjen e Luginës në këto bisedime, që deri dje as që është biseduar fare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe përfaqësuesit e tyre legjitimë, duhet të jenë krenarë që presidenti Thaçi, ka marrë për sipër që me korrigjim kufijsh të realizoj ëndrrën shekullore për bashkimin e Luginës me Kosovën, të cilën edhe e kanë shprehur me Referendumin e vitit 1922.
Çdo përpjekje për t’i përçarë shqiptarët e Luginës rreth kësaj ideje, nuk i bën nder dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit të Luginës së Preshevës e cila më shumë se kurrë gjatë historisë së saj nuk është më afër zgjidhjes. Ata duhet të jenë unik dhe nuk duhet të bien në provokime, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Beogradi, por t’i përmbahen asaj që kanë thënë vetë se Kosova mund t’i përfaqësoj interesat e Luginës në Bruksel. Tjetër alternativë, për momentin, nuk ka.
(Ky opinion është publikuar para 8 vitesh, më 15.07.2010, nga autori Nexhmedin Saqipi, të plotësuar me një shtojcë të re, si alternativë për zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës)