Nderim e kujtim/ Ndahet nga jeta Maku Pone, Koleg e mik i jetës….

Nga:  Prof.Murat Gecaj       

Kur po ishkruaj këto pak radhë, në nderim e kujtim të kolegut e mikut të mirë dhe krijuesit të palodhur, fjalëpakë e punëshumë, Maku Pone, mendja më shkon në rininë tonë të hershme….

Ishin vitet ’50-të të shekullit të kaluar, kur të dy, në moshë fare të re, veshëm rrobat ushtarake, që të bëheshim oficerë në Ushtrinë e asaj kohe. Po kjo gjë nuk u realizua për arsye shndetësore dhe ne morëm udhë të tjera, pra në jetën e lirë civile. Mbaruam shkollat e larta në degë të ndryshme dhe shërbyem në qytete e rrethe të Atdheut…

Por, asnjëherë, nuk i ndërpremë lidhjet tona as miqësinë, që kishte nisur që në rininë tonë. Rasti e solli, që unë punova 7-8 vjet, me rininë e kulturën në vendlindje, pra në qytetin “B.Curri”, ku më dërguan “vullnetar”, nga Gazeta “Pioneri”, ku unë punoja. Ishte koha, kur ndërtohej Hekurudha Rrogozhinë-Fier dhe sillnim aksionistë nga Tropoja. Pra, me ato raste, e takoja Makun, çmalleshim bashkë e i baja vizitë në familje, ku më prisnin me bujari. Po edhe kur isha kryeinspektor i kulturës në Tropojë, shkuam në qytetin e Fierit e dhamë një shfaqje të bukur të Ansamblit “Valbona”, përsëri  Makun e kisha pranë, të pandarë e si gjithnjë, buzagas.

Në vitët pasardhëse punova 8 vjet redaktor në Gazetën “Bashkimi” e 22 vjet në Gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës (Shkencës). Kam qenë disa herë në Fier dhe Maku Pone, me kolegë e miq të tjerë fierakë, më kanë pritur e përcjellur me dashamirësi.

Por edhe kur dolëm në penson e na u bënë të pamundura lëvizjet, nga një qytet në tjetrin, ne kemi mbajtur lidhje përmes celularëve. Ndjehem shumë i pezmatuar, kur kujtoj se ai më thoshte që do të vinte në Tiranë dhe do të pinim kafe bashkë. Po, për fat të keq, edhe me disa telefonata, që provova muajt e fundit, ne nuk u lidhëm dot?! Mendoja se Maku mund të ishte diku te fëmijët, jashtë, por kurrësesi, nuk e besoja që dje, përmes Internetit, do të merrja vesh  lajmin shumë të hidhur, se Maku Pone ishte ndarë përgjithnjë nga jeta!?

2.

Sot, për këtë lajm të hidhur, janë dhënë njoftime në shtyp e në Internet. E di që nuk do të tregoj ndonjë gjë tjetër të re, pra nga ato që kanë shkruar kolegë miq e dashamirë të tij. Megjithatë, e ndiej për detyrim të përmendi, shkurtimisht, se ai ishte dhe mbetet një personalitet i shquar i letrave shqipe.

Maku Pone lindi më 1 mar 1939, në qytetin e Fierit. Jetën ia kushtoi krijimtarisë letrare dhe njihet: poet, prozator, dramaturg e autor i letërsisë për fëmijët, që i donte aq shumë.

Studimet e mesme i mbaroi në Shkodër, ndërsa të lartat për ing.nafte në Moskë, por studioi edhe për filozofi. Pasi punoi pak kohë në profesionin e tij, u caktua kryeredaktor në Gazetën e Fierit. Shkroi disa drama dhe bëri emër, prandajj e caktuan libretist (dramaturg) pranë Tetrit “Bylis” të qytetit. Në vazhdim, punoi në TV rajonal “Apolon”.

Kishte shpirt të ndjeshëm poetik dhe kështu nisi të shkruajë. Librin e parë, “Kur buzëqeshin shokët” e botoi më 1969. Gjithësej, botoi 12 libra me poezi dhe i fundit ishte, “Një kafe me gurin”.

Artistët e Teatrit të mirënjohur “Bylis” e kujtojë dhe do ta kujtojnë përherë, me 10 dramat, që ai shkroi e u vunë në skenë.E para ishte “Shpërthimi”(1976) dhe e fundit “Një vajzë e fyer”(1990).

Maku Pone botoi edhe 4 libra në prozë: “Shtëpia midis mollëve”-novelë (1984), romanet: “Trëndafilat e mesnatës”(1987) e “Motër e vëlla”(2003), si dhe vëllimin me tregime “Balona me bedena”(2004).

Duke patur ndiesinë e një babai shembullor e të ndjeshëm, ai iu drejtua edhe letërsisë për fëmijë. Këtë gjë e theksoi sidomos, kur vetë u bë gjysh. Pra, na la pasuri të vyer në këtë fushë 6 libra për fëmijë. I pari ishte: “Naftëtarët e vegjël”(1969) dhe i fundit, “Motër e vëlla” (2003).

Sigurisht, për tërë këto vepra të larmishme, poeti, prozatori e dramaturgu Maku Pone meritonte të çmohej e nderohej me dekorata e vlerësime të veçanta, të paktën “Mjeshtër i Madh”. Për veprat e tij domethënëse e të vlefshme, është nderuar me pesë çmime të ndryshme në konkurset kombëtare: 2 herë në gjininë e poezisë, 2 herë në prozë dhe 1 herë në dramaurgji.

Por, kryesorja, njeriu i mirë dhe krijuesi i talentuar Maku Pone ka merituar nderimin e respektin e gjithë atyre, që kanë punuar me të, që i kanë njohur librat e tij ose që e kanë ndjekur veprimtarinë e tij të palodhur e të çmuar, në fushat e letërsisë e  artit kombëtar shqiptar. Prandaj ai, me siguri, do të lerë gjurmë të pashlyera në kujtesën e brezave të sotëm dhe të atyre, që do të vijnë pas nesh.

-Të paharruara qofshin: Kujtimi, veprat dhe jeta e përkushtuar e Maku Pones!

Tiranë, 10 korrik 2019