Ndërkombëtarët zbarkojnë në Tiranë dy ditë para protestës

24.05.2018 09:47:41

Opozita ka thirrur shqiptarët në protestë, por paralel në të njëjtën ditë do të vijnë edhe ndërkombëtarët. Florian Hahn, zëdhënës për Europën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman, mbërriti të mërkurën në Tiranë.

Hahn nuk është i vetmi zyrtar i huaj që mbërrin në Tiranë. Të shtunën, kur opozita do të zhvillojë protestën për rrëzimin e qeverisë, vjen Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Pete (Pit) Marocco.

Ai merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me përfaqësues të lartë nga vende të Europës Juglindore dhe të rajonit për problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Konferenca organizohet nga një grup deputetësh të Parlamentit shqiptar të majtë e të djathtë.

Axhenda e së shtunës ka dhe vizitën e një delegacioni të Asamblesë parlamentare të OSBE-së, i cili do të zhvillojë takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin. Më 29 Maj, vjen në Shqipëri edhe Sekretari i Përgjithshem i OSBE-së, Thomas Greminger, që do të takojë krerët më të lartë të qeverisë dhe opozitës.