Ndërmjet absurdit dhe injorancës

12.10.2016 11:25:56

Dhe teksa jemi pak Jozef K., pak Diogjen, dhe teksa bartim mëkatin e të parëve që u mashtruan, u rebeluan apo guxuan, bota po trandet dhe po vdes çdo ditë nga injoranca, arroganca, babëzia dhe nxitja e keqe.

Nga Rexhep Kastrati

Jozef K. është personazhi kryesor i veprave të Franc Kafkës, që mund të jetë vetë Franc Kafka, kurse “Kështjella” është një ndër veprat më të mira të tij krahas “Procesit” dhe “Amerikës”. Bashkë me romanin “1984” të Xhorxh Orvelit janë romane në të cilat paradoksi, arroganca, absurdi, ironia dhe cinizmi ndaj injorantëve dhe snobëve trutharë janë ngritur në monument. Atë që Volteri e ka bërë në rrafshin filozofik me kryeveprën e tij “Filozofi i padijshëm”, dhe atë që Molieri e ka bërë me “Borxhezin fisnik”, Franc Kafka dhe Xhorxh Orveli e kanë ngritur në një sistem letraro-filozofik dhe të arketipeve të personazheve komplekse në aspektin letraro-psikologjik. Larg nuk mbeten as dy rivalët francezë: Zhan Pol Sartër me “Neverinë”, me “Murin”, me dramat, si dhe Alber Kamy me “I huaji”, “Miti i Sizifit”, “Mortaja”, “Njeriu i revoltuar”. Edhe pse me polemika të forta me njëri-tjetrin, Zhan Pol Sartër dhe Alber Kamy, janë lartësuar nga kritika, intelegjencia dhe shoqëria franceze dhe ajo botërore dhe i pari (Zhan Pol Sartër) është konsideruar shkrimtari më i mirë ndër filozofë, kurse i dyti (Alber Kamy) është konsideruar filozofi më i mirë ndër shkrimtarë. Në letërsinë tonë, Anton Pashku me “Gof”, “Oh” etj., Beqir Musliu me “Shtriganin e Gjel Hanit” dhe me poezitë e romanet e tij kanë ndërtuar një monument të absurdit, të ironisë, të cinizmit dhe të paradoksit. Duket se rënia e interesimit për të lexuar, ka bërë që këtyre elementeve t’u ndërtojmë monumente në sjelljen tonë shoqërore. Në teatrin e absurdit, personazhet e depersonalizuar të Semjuel Beketit presin më kot ardhjen e Godosë. Absurdi është se që kur dështoi idea e Platonit te “Shteti” që me shtetin duhet të sundojnë filozofët, pasi që Platoni do përfundonte skllav po të mos e blente ish-nxënësi i tij dhe t’ia jepte lirinë, kanë dalë teori shumë dehumanizuese për njeriun: Zhan Zhak Ruso kishte shtruar tezën për origjinën natyrore të pabarazisë, dhe kishte propozuar një kontratë shoqërore, Tomas Hobesi të “Leviatani” kishte shkuar edhe më tej: homo homini lupus est!, e që i bie: njeriu për njeriun ësht ujk! Dhe më tej thotë se po të lihen të lirë, njerëzit janë të prirur të luftojnë kundër njëri-tjetrit! Edhe përpjekjeve të Xhon Rolsit për të humanizuar gjithë rrëmujën e krijuar, duke provuar të vëjë drejtësi dhe një baraspeshë ndërmjet lirisë dhe barazisë (“Teoria e drejtësisë”), iu gjuajt Robert Nojziku dhe nuk la gjë pa i thënë. Pak para Xhon Rols, Zhan Pol Sartër në ligjëratën “Ç’është intelektuali?”, të mbajtur në Japoni më 1961, ishte munduar të ndante intelektualin nga tekniku i dijes praktike, duke synuar ta paraqiste intelektualin si humanist. Sipas tij, intelektual nuk është ai që ka zbuluar fusionimin e atomeve që bëri të mundur prodhimin e bombës atomike, sepse ky është teknik i dijes praktike, por intelektual është ai që në emër të humanizmit ngrihet kundër keqpërdorimit të fusionimit të atomeve. Kemi ne gjë të tillë njeri që do të ishte në përputhje me konceptin sartrian për intelektualin? Në fakt, më shumē kemi pamje mjerimi si në “Katedralen e Parisit” të Viktor Hygosë, një lloj apatie absurde si te “Duke pritur Godonë” të Samjuel Beketi. Mos e kemi humbur rrugën që kur Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti i Edenit si hakmarrje Hyut Jahvë pse kishin mëkatuar dhe kishin rënë në kurthin e gjarprit dhe Eva kish ngrënë nga Druri i Dijes, apo edhe kur Kaini kishte vrarë Abelin dhe bartte trupin e tij si një trofe tradhtie? Dhe pse vallë Sokrati që ishte filozofi më i madh i kohës, kishte thënë: e di se nuk di asgjë? Kishte pasur frikë Perëndinë, apo ishte trembur nga ajo që kish përjetuar Prometeu që kishte vjedhur flakën (dijen) nga zotat dhe ua kishte dhënë njerëzve? A jemi të dënuar me padije, dhe nëse duam të dijmë, të rebelohemi kundër padijes, do të shndërrohemi në Jozef K.? A na ka mashtruar Piko dela Mirandola kur na ka thënë se Zoti ka krijuar njeriun dhe gjithçka tjetër, por të gjitha këto i ka krijuar për njeriun? Po për cilin njeri: atë të Niçes (“Ecce Homo”), apo të Diogjenit, që nuk e gjeti kurrë, sikurse personazhet e Samjuel Beketit që e pritën kot Godonë? Dhe teksa jemi pak Jozef K., pak Diogjen, dhe teksa bartim mëkatin e të parëve që u mashtruan, u rebeluan apo guxuan, bota po trandet dhe po vdes çdo ditë nga injoranca, arroganca, babëzia dhe nxitja e keqe. Dhe Hegel fliste për triadën: a) ideja; b) materializimi i idesë; c) vetëdijësimi për veten dhe shndërrimi në ide, e kështu nga fillimi. Nuk di mos jemi duke u kthyer mbrapa në kohë? Pyetje absurde? Po a nuk është absurd realiteti botëror? A nuk jemi të gjithë Jozef K.? A nuk është kthyer komunikimi bashkëkohor në një gjuhëre? Eh Jyrgen Habermas shkoi nga kjo botë me merakun se BE mund të shkatërrohet dhe njerëzit të fillojnë të hanë njëri-tjetrin. BREXIT është revoltë, është rikthim në filozofinë e Xhon Lokut, në hipokrizitë dhe intrigat makbethiane të Viliam Shekspirit, apo është një mashtrim nga një injorant që po atë ditë apo të nesërmen pranon se ka mashtruar? Pse gjatë gjithë historisë njerëzore kemi pësuar nga injorantët? Dhe pse Zoti na dënoi që kërkuam të dijmë? A nuk është absurde? A nuk është cinike? A nuk është ironike? Miku im, Skënder Sherifi do të bënte një dyzinë metonimish dhe në fund do thoshte: mirë kam bërë. Nuk di a do të pajtoheshim nëse mund të bëhemi pak Hamletë dhe të themi: të jesh a të mos jesh/ kjo është çështja…

1 korrik 2016