Nderpriten operatoret ilegal

03.05.2017 10:14:55

 

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) njofton opinionin publik se që nga data 01 Maj 2017 përfundimisht janë ndërprerë të gjitha shërbimet e operatorëve të telefonisë mobile “Telenor” dhe “ViP mobile”, të cilët që nga pas lufta kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar në territorin e Republikës së Kosovës.

Siç është bërë publike më herët, afati përfundimtar i caktuar nga ARKEP për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve nga operatorët në fjalë ka qenë data 01 Maj 2017.

Për të verifikuar përmbushjen e këtij detyrimi, ekipi i ekspertëve të Radio Monitorimit nga ARKEP gjatë ditës së sotme ka realizuar matje në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht hapsirave ku më herët kanë pasur mbulueshmëri operatorët “Telenor” dhe “ViP mobile” dhe është konstatuar se janë ndërprer shërbimet e tyre.

Njëherit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore dhe plotësimin e nevojave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ARKEP udhëzon dhe mbështet operatorët Telekomi i Kosovës dhe IPKO që të rrisin mbulueshmërinë edhe në pjesën veriore të vendit.

ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike do të verifikoj për së afërmi shfrytëzueshmërinë e spektrit frekuencor dhe mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mosdiskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.